Transferimi i sulmuesit dardan, Vedat Muriqi, drejt klubit italian të Lazios për shifrën e majme prej 17.5 milionë eurosh, është kthyer në qendër të një investigimi nga emisioni i njohur italian “Report” në Rai3.
Ajo që bie në sy dhe merr vëmendjen kryesore në këtë dosje është “lidhja shqiptare”, një rrjet protagonistësh shqiptarë që dyshohet se kanë luajtur rolet kyçe në prapaskenat e kësaj blerjeje, e cila në nivel sportiv rezultoi një dështim.
Në qendër të hetimeve gazetareske dhe kritikave qëndron drejtori sportiv i Lazios, shqiptari Igli Tare. Edhe pse ndër vite ka qenë një nga figurat më të suksesshme të klubit italian, ky transferim ka ngritur dyshime të forta mbi një konflikt interesi. Sipas investigimit të televizionit italian, në marrëveshje ka qenë i përfshirë në prapaskenë edhe vëllai i tij, Genti Tare, i cili shërben si konsull i Shqipërisë në Stamboll, pikërisht qyteti ku luante Muriqi me fanellën e Fenerbahçes.
@reportrai3 Il procuratore Gabriele Giuffrida indagato: nel mirino la dichiarazione dei redditi della GG 11 Srl La Procura di Roma ha aperto un fascicolo d'indagine nei confronti del procuratore sportivo Gabriele Giuffrida. Secondo l'ipotesi investigativa, la sua società, GG 11 Srl, avrebbe presentato una dichiarazione dei redditi infedele, indicando ricavi inferiori a quelli effettivamente conseguiti e costi superiori a quelli realmente sostenuti, con una conseguente riduzione indebita dell'imponibile. L'ammontare complessivo contestato supera i 2 milioni di euro, stando a quanto riportato in un'informativa del Nucleo di polizia economico-finanziaria della Guardia di finanza di Roma.
♬ suono originale – Report Rai3
Për ta përforcuar këtë fakt, agjenti i njohur italian i futbollit, Vincenzo Morabito, e theksoi drejtpërdrejt peshën e faktorëve shqiptarë gjatë një deklarate tronditëse për emisionin: “Tare ka një vëlla i cili është konsull shqiptar në Stamboll, dhe papritmas ju paguani 18 milionë euro për një lojtar që është skandaloz. Trajneri Simone Inzaghi ka vënë duart në kokë për këtë blerje. Të shpenzosh aq shumë para për një lojtar të tillë, për Lazion është një çmenduri,” – u shpreh Morabito.
Por prania shqiptare në këtë transferim nuk mbaron me vëllezërit Tare. Hetimi i Rai3 ka zbuluar se në festën dhe negociatat e marrëveshjes, përveç agjentëve si vëllezërit Giuffrida dhe avokatit të lojtarit, u shfaq nga asgjëja si ndërmjetës edhe një tjetër shqiptar, Shkumbin Qormemeti. Ai përshkruhet nga mediat italiane si një agjent me shumë pak lojtarë nën menaxhim, por që është një mik i vjetër dhe i ngushtë i Igli Tares, duke luajtur rol në mbylljen e pazarit për Muriqin.
Kështu, ajo që fillimisht u prezantua si një lëvizje e rëndësishme në merkato për të forcuar sulmin, po merr gjithnjë e më shumë trajta e një skeme ku lidhjet e ngushta mes drejtorit shqiptar të Lazios, vëllait të tij me pushtet diplomatik në Turqi, dhe një ndërmjetësi po ashtu shqiptar, bënë të mundur lëvizjen e dhjetëra milionë eurove për një transferim shumë të dyshimtë.
