Në ëndrra i shfaqet ende shtëpia e gjyshit, e shkatërruar nga lufta. Në realitet, Luka Modriç ka fituar gjithçka: gjashtë Champions League dhe Topin e Artë. Sot, në moshën 40-vjeçare, mesfushori kroat është ende në majat e futbollit dhe e ka nisur një kapitull të ri me fanellën e Milanit.
Në një intervistë të gjatë për Corriere della Sera, dhënë gazetarit Aldo Cazzullo, Modriç ka rrëfyer jetën e tij, fëmijërinë e vështirë, luftën, pasionin për futbollin dhe dashurinë e hershme për kuqezinjtë.
“Që fëmijë isha milanist”
“Si fëmijë isha tifoz i Milanit, për shkak të heroit të fëmijërisë sime: Zvonimir Boban”, ka treguar Modriç. “Mendoja se do ta mbyllja karrierën te Real Madridi, por gjithmonë kam pasur këtë ide: nëse do të kisha një skuadër tjetër, ajo do të ishte Milani. Jam këtu për të fituar”.
Objektivi është i qartë: titulli kampion. “Te Milani duhet të luash gjithmonë për të fituar, vetëm për të fituar. Kjo është historia e këtij klubi”.
Sekreti i jetëgjatësisë: dashuria për futbollin
Modriç shpjegon pse edhe në moshën 40-vjeçare vazhdon të jetë konkurrues në nivelet më të larta. “Nuk ka sekrete. Vetëm dashuri. Të duash futbollin, të mendosh futboll, të jetosh për futbollin. Bashkë me familjen, futbolli është gjëja më e rëndësishme në jetën time”.
Sipas tij, pasioni është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër: “Dieta dhe stërvitja janë të rëndësishme, por dytësore. Për të qëndruar gjatë në majë duhet zemra. Në stërvitje jam i lumtur si kur luaja fëmijë”.
Familja, përulësia dhe gjyshi Luka
Mesfushori kroat ka folur edhe për rrënjët e tij: “Babai ishte punëtor, nëna rrobaqepëse. Përulësia të ndihmon, si në fushë ashtu edhe në jetë”.
Emrin e gjyshit e mban me krenari. “Nuk kam shkuar në kopsht, qaja gjithmonë, ndaj më çonin te ‘shtëpia e lartë’ e gjyshit, në këmbët e malit Velebit, në Dalmaci. Jam rritur mes kafshëve, luaja me keca dhe dele. Besoj se aty mësova të luaj futboll, mes gurëve dhe barit”.
Gjyshi Luka u vra në vitin 1991 nga çetnikët serbë. “Ishte dhjetor, unë isha gjashtë vjeç. Një mbrëmje nuk u kthye në shtëpi. E gjetën të vrarë në një livadh pranë rrugës. Ishte 66 vjeç dhe nuk i kishte bërë keq askujt”.
Pas kësaj, babai i Modriçit shkoi vullnetar në luftë dhe familja u detyrua të largohej: “Lamë gjithçka nga një ditë në tjetrën. U strehuam fillimisht në Makarska, në një kamp refugjatësh, pastaj në Zadar”.
Shtëpia e gjyshit, një plagë ende e hapur
“Shtëpia e gjyshit u dogj pas vrasjes së tij. Terreni është pastruar nga minat, por ende ka tabela rreziku. Sot është pronë e shtetit, e rrënuar, plot me ferra. Flitet për ta kthyer në muze, por do të doja ta blija vetë. Për gjyshin dhe për veten time. Ai rrënojë është një pjesë e jetës sime”.
Nëse s’do të ishte futbollist, do të ishte kamarier
Nëse futbolli nuk do të ishte bërë jeta e tij, Modriç kishte një plan tjetër: “Do të më pëlqente të bëhesha kamarier. Isha i zoti dhe më pëlqente”. Ai ka studiuar në institutin hotelier të Borikut dhe ka bërë praktikë në restorantin Marina në Zadar. “Më pëlqente të shërbeja pijet. Në dasmat kroate pihet shumë. Vetëm larja e enëve nuk më pëlqente”.
Serie A, trajnerët dhe Ibra
Përveç Bobanit, idhulli i tij ishte Francesco Totti: “Në Serie A kishit lojtarë fantastikë. I shikoja dhe mendoja: ky është futbolli që dua të luaj”.
Modriç ka folur edhe për trajnerët e mëdhenj që ka pasur: “Allegri ka një personalitet të jashtëzakonshëm, i ngjan Ancelottit: i ndjeshëm, argëtues, por në fushë është një gjigant. Carlo Ancelotti është numri një, si njeri dhe si trajner”.
Për Mourinhon: “Ishte ai që më deshi te Real Madridi. Pa Mourinhon nuk do të kisha arritur kurrë aty. Është shumë i drejtpërdrejtë, por i ndershëm”.
Dhe për Ibrahimoviçin, sot konsulent i RedBird: “Kur takohemi, flasim në gjuhën tonë dhe askush nuk na kupton”. Modriç kujton se edhe Ibra u kthye te Milani gati 40 vjeç dhe fitoi titullin: “Klasifikimi është i mirë, ka ende shumë rrugë dhe kundërshtarë të fortë, por gjithçka është e mundur. Jemi Milani. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.TCH
