Manchester City lë pikët e para në këtë edicion të ri të Premier League-s. Kampionët në fuqi të Anglisë barazuan 1-1 në fushën e Wolves, ku deri 20 minuta para fundit të kohës së rregullt po e humbisnin takimin.


Citizens patën raste të shumta shënimi gjatë pjesës së parë me Gundogan, Sterling dhe Agueron, ndërsa goli i shënuar nga Raul Jimenez për vendasit u anulua për pozicion jashtë loje.


Wolves e nisi mirë pjesën e dytë, ndërsa në të 57-ën arriti të shënonte me Boly, pas një krosimi perfekt të Joao Moutinhos.


Manchester City u kundërpërgjigj në të 69-ën me Laporten, që finalizoi saktë me kokë pas ekzekutimit të një goditjeje standarde nga Gundogan.


Në minutën e 5-të shtesë Sergio Aguero nuk e pati fatin me vete, teksa tentativa e tij e fundit për t’i dhënë fitoren City-t përfundoi në traversë.


25 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)