Një ditë pas disfatës me Polonisë, kur kokat janë më të “ftohta”, Top Channel ju sjell notat dhe vlerësimet e Kombëtares shqiptare pas ndeshjes në Varshavë.

STRAKOSHA 5

Një ndeshje me pengje për portierin kuqezi. Ka përgjegjësi te goli i Lewandowskit, por mund të kishte bërë më mirë edhe te goli i dytë i Zielinskit. Nuk është më ai i Serisë A.

HYSAJ 6

I pafuqishëm dhe i papërgatitur te goli i Lewandowskit, por nuk ishte ai përgjegjësi kryesor. Një ndeshje e kujdesshme, me një inkursion që u shpërdorua në momentin final nga Bajrami. Korrekt.

GJIMSHITI 6.5

Jo vetëm mbrojtje, por edhe pasimi që solli golin e Hoxhës. Lider në mbrojtje dhe nuk zhbalancohet as kur Ismajli zë vendin e Ajetit. Por dilema e madhe është: pse një yll si Lewandoëwki nuk markohet nga ai në një goditje këndi?!

AJETI PA NOTË

E nis me prepotencë dhe nuk kursehet për 15 minuta, deri sa dëmtohet në krah. (pa notë). (ISMAJLI – 6.5) – Bën si duhet detyrat duke bllokuar Lewandowskin sa herë kalonte në territorin e tij. Te goli i barazimit as ai nuk markoi Lewandowskin!!!

MITAJ 7

Luan thjeshtë, por qartë. Bashkëpunimi me Hoxhën është mbresëlënës, edhe pse shoku i krahut të majtë ia pason topin me “pikatore”. Ndeshje e mirë, dhe nëse sulmet ishin më shumë nga e majta, kjo edhe për meritë të tij.

ASLLANI 5.5

Shumë impenjim, pak rendiment dhe ende nuk arrin të bëjë diferencën në ndeshjet delikate. Levandovski i ikën shumë lehtë te goli i barazimit dhe vertikalizimet ia lënë vendin fazës mbrojtëse.

SHEHU 6.5

Humbet dy topa të rrezikshëm në pjesën e parë, por padyshim që e kalon klasën. I bën mirë të dyja fazat, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, por vertikalizimet e gjata i ka ende të rralla dhe “të trembura”.

LAÇI 7

Grintë, tentativa për të ndërtuar lojën dhe inkursione të rrezikshme në zonën kundërshtare. Përveçse mbrojti mirë, përhapi më shumë panik se Bajrami që duhej të ishte “9 false”. (Nga min. 82’ MUÇI – Pa notë). Lojtari më në formë thirret nën armë kur shpresat veniten. Por Sylvinho duhet ta dijë se Muçi ka talent, nuk bën magji. Duhej më herët, duhej më shumë besim dhe e vërteta është që trajneri nuk i ka besuar kurrë.

HOXHA 7.5

Acarues me egon e tij për ta mbajtur topin më shumë se sa duhet, por duhet thënë se nga e majta vjen gjithë paniku për shtatlartët polakë. Pastaj te goli që mbushi me shpresë shqiptarët, u tregua “i akullt”. Në vendin e duhur, në kohën e duhur, besoi, gjuajti, shënoi. I padiskutueshëm. (Nga min. 68’ PILO 5) – Oh djalosh, çfarë rasti kishe për t’u bërë hero i një kombi. Vetëm tre minuta pasi zbriti në fushë. Por e humbi. Ka vetëm një mënyrë për ta shlyer, siç bëri Manaj me Serbinë. Deri sa kjo të ndodhë, do ti peshojë ajo mundësi për golin e dytë.

BAJRAMI 5

Ka shansin për të mbyllur llogaritë, por bën më të vështirën dhe humbet golin që mund të na dhuronte duelin me Suedinë. Nuk është i dikurshmi dhe fakti që nuk aktivizohet në klubin e tij, dukshëm ia ka zbehur reflekset. (Nga min. 68’ BROJA 6) – Hyn dhe jep një asist për Pilon, por ai e shpërdoron. Duhej të aktivizohej më herët. Padyshim që po.

UZUNI 5.5

Lexohej qartë që kishte marrë “urdhër” nga Sylvinho që të mendonte vetëm për mbrojtjen dhe pastaj “kap ça të kapësh në sulm”. Ai nuk e tradhtoi trajnerin, por rendimenti në fazën sulmuese ishte shumë pak. I sakrifikuar.

TRAJNERI SYLVINHO 5

Shqipëria kryeson për 63 minuta në Varshavë dhe kishte mundësinë të mbyllte dy herë llogaritë. Kjo edhe për meritë të trajnerit. Nuk është faji i tij që Bajrami dhe Pilo “falin”. Por ama ka përgjegjësi që Muçin e “kursen” në stol, nuk ndërhyn më herët për të forcuar prapavijën dhe i beson një debutuesi për të ndryshuar fatet e një “finaleje” Botërori. Shqipëria ka fytyrën e tij: shumë dëshirë, pak përvojë.

Top Channel