Një incident i pazakontë ka tronditur mëngjesin e së hënës së Pashkëve për ish-trajnerin e Kombëtares shqiptare, Christian Panucci. Teksa ndodhej për pushime në Dubai së bashku me partneren e tij, makina e tij tip Audi është përfshirë nga flakët në oborrin e vilës së tij luksoze në periferi të Romës, mes zonave Fonte Laurentina dhe Spinaceto.
Zjarri ka shpërthyer në rrethana ende të paqarta, por për fat të mirë nuk është raportuar për persona të lënduar. Forcat zjarrfikëse dhe karabinierët ndërhynë menjëherë, duke arritur të vendosin situatën nën kontroll para se flakët të përhapeshin në pjesë të tjera të pronës.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Kamerat e sigurisë brenda pronës së Panuccit janë sekuestruar dhe një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet është ajo e një akti të qëllimshëm.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënieje me motive personale apo hakmarrjeje. I njoftuar nga autoritetet përmes telefonit, Panucci ka shprehur shqetësim dhe ka kërkuar sqarime të menjëhershme mbi atë që ka ndodhur në mungesë të tij.
Ngjarja ka ngritur shqetësime edhe në media, ndërsa pritet që rezultatet e hetimeve të hedhin dritë mbi shkaqet reale të incidentit.
