Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një konferencë për mediat, ka zyrtarizuar Rolando Maran si trajnerin e ri të Kombëtares dhe ka folur në lidhje me largimin e Sylvinhos, që largohet me konsensus dhe respekt.

“Është ditë e rëndësishme për ne, sepse do të bëjmë publik emërimin e trajnerit të ri të Kombëtares, që është Rolando Maran. Mbyllim një cikël me Sylvinhon dhe stafin e tij, që dua ta falënderoj në emër të Federatës, tifozëve dhe të gjithë stafit për rezultatet e arritura dhe kontributin e madh të dhënë.

Kemi kaluar periudhë shumë të rëndësishme me shumë emocione. Kemi qeshur së bashku, kemi qarë dhe kemi gëzuar. Në futboll konsiderohet normale mbyllja e një cikli dhe nisja e të riut. Në një konsensus dhe respekt të plotë kemi rënë dakord për të mbyllur atë aventurë.

Po nisim me një trajner jo të ri në moshë, por me energjinë e duhur dhe eksperiencën e nevojshme siç është Rolando Maran. Kombëtarja jonë e ka vendosur stekën apo nivelin aty ku dëshirojmë dhe objektivat mbeten vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi në Euro 2028 dhe më pas për të qenë pjesë e Botërorit 2030.

I uroj suksese trajnerit Rolando Maran me Shqipërinë. Nuk bëra CV-në e tij, sepse ka eksperiencë të madhe në futbollin europian, duke trajnuar skuadra me emër në Itali dhe jam i sigurt se do të bëjë mirë”, tha Duka.