Shqipëria është skuadra e parë europiane që ka siguruar një vend në fazën e Play Off-it të Kupës së Botës 2026. Si funksionon Play Off-i dhe cilët janë kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë?

KUSH DO TË LUAJË NË PLAY OFF

Në ndeshjet Play Off, të cilat do të zhvillohen në mars, do të marrin pjesë të gjitha ekipet e vendit të dytë nga dymbëdhjetë grupet kualifikuese, plus katër fituesit më të mirë të grupeve nga Liga e Kombeve 2024/25, midis atyre që nuk kanë siguruar ende një kualifikim të drejtpërdrejtë në Kupën e Botës ose në ndeshjet Play Off përmes vendit të parë ose të dytë në grupin e tyre kualifikues.

Të enjten, më 20 nëntor, në orën 13:00, 16 ekipet do të shortohen në katër rrugë të ndara për ndeshje Play Off (A, B, C dhe D) dhe do të garojnë në gjysmëfinale dhe finale, të dyja takimet me një ndeshje të vetme. Katër fituesit do të udhëtojnë për në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

RREGULLORJA

Gjashtëmbëdhjetë ekipet e fazës Play Off janë të ndara në katër vazo: dymbëdhjetë ekipet e vendit të dytë nga secili grup vendosen në tre vazot e para bazuar në renditjen e FIFA-s të nëntorit 2025 (nuk ka dalë akoma), ndërsa katër “e ripeshkuara” nga fituesit më të mirë të Ligës së Kombeve do të vendosen në Vazon 4.

Për gjysmëfinalet, shorti do të çiftëzojë ekipet nga Vazo 1 me ato nga Vazo 4, dhe ekipet nga Vazo 2 me ato nga Vazo 3 (ekipet nga Vazo 1 dhe Vazo 2 do të luajnë në shtëpi në gjysmëfinale). Fituesi i ndeshjes Vazo 1–4 do të përballet më pas me fituesin e ndeshjes Vazo 2–3.

Kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë

Shqipëria, aktualisht në vazon 3 (mund të ngjitet në vazon 2 në varësi të ndeshjeve të fundit) do të luajë në gjysmëfinale me një nga skuadrat e vazos së dytë (Hungari, Skoci, Çeki, Sllovaki) dhe në rast të një kualifikimi të mundshëm në finale me fituesin e gjysmëfinales tjetër.

Aktualisht në Vazon 1 qëndrojnë Italia, Turqia, Ukraina dhe Polonia, në Vazon 3 Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë Hercegovina, ndërsa në vazon 4 janë Uellsi, Suedia, Rumania dhe Irlanda e Veriut.