Çerekfinalja
Gabimet e Jang e Kol nga pika e bardhë eliminojnë “Tre luanët”
U desh ruleta e penalltive për të vendosur fituesin e çerekfinales së fundit të Euro 2012 mes Anglisë dhe Italisë. Në gjuajtjet nga pika e bardhë triumfuan axurrët 4-2, duke çuar përballë Gjermanisë në gjysmëfinalen superklasike pikërisht një skuadër të bukur si ajo e Prandelit.
Prandeli konfirmoi edhe një herë mesfushën në formë rombi me Moltolivon në krye. Por me këtë skemë do të ishte shumë i rëndësishëm edhe avancimi i dy lojtarëve të krahut, me De Rosin e gatshëm t’u japë një dorë mbrojtësve të qendrës për të mbajtur një lloj ekuilibri taktik. Ndërsa tek Anglia ka rezultuar një alarm fals dëmtimi i mundshëm në kavilje gjatë nxehjes i lojtarit të Arsenalit, Çamberlein, i cili është futur normalisht në pankinë. Ndërkohë që trajneri i “Tre luanëve”, Roi Hoxhson, kishte hedhur në fushë edhe Jung, por edhe Uellbek, i cili së bashku me Runin formon një dyshe shumë të rrezikshme në repartin ofensiv, që ishte kompletuar kështu me freski atletike dhe shpejtësi. Ndeshja ka nisur shumë entuziaste me një rivalitet të madh dhe aksione e raste në të dyja portat. Frenat e kontrollit të lojës për pjesën më të mirë të këtij fraksioni loje kanë qenë në duart e axurrëve, që kanë krijuar raste të shumta për gol. Edhe anglezët nuk kanë qëndruar duarkryq, duke parë, por e kanë frikësuar disa herë Bufonin dhe shokët e tij. Minutat e para kanë qenë elektrizuese. Pas vetëm 180 sekondash, Daniele de Rosi ka trembur portën angleze me një gjuajtje të fortë pa hyrë ende në zonë, e cila është stampuar në shtyllën e kuadratit të mbrojtur nga portieri Xho Hart. Dy minuta më vonë është Xhonson për anglezët njeriu që pati mes këmbëve të tij topin për të shënuar avantazhin e “Tre luanëve”, por gjuajtja e tij nga dy hapa larg është e dobët; Bufon e ka pritur në dy kohë. Në minutën e 25 dhe të 32 erdhën dy rastet e Balotelit: i pari është një palonetë e dobët e pritur nga Hart, i dyti një gjysmë-roveshatë zhgënjyese, të cilën portieri kundërshtar nuk e ka pasur të vështirë ta bllokojë. Por në minutën e 32 Uellbek lëshon një predhë, e cila kalon shumë pak centimetra larg pikës ku bashkohen dy shtyllat. Në hije ka qenë sulmuesi i italianëve Antonio Kasano, i cili rrezikun e vetëm e ka krijuar në minutën e 38, por që u ndal nga portieri i Mançester Sitit në dy kohë. Ndërsa për “SuperMarion”, rasti tjetër do të vinte në minutën e 41: spondë e Kasanos nga e djathta, Balo i lë të gjithë në vend, por topi i gjuajtur prej tij shkon dy hapa larg portës. Edhe në pjesën e dytë është parë një ndeshje shumë e ekuilibruar dhe e kënaqshme. Pas një starti të mirë për anglezët, në minutën e 51 Italia ka qenë shumë pranë golit me anë të De Rosit në minutën e 49, pas një goditjeje dënimi, por lojtari i Romës nga pak metra larg nuk mundi ta çonte topin në kuadrat. Ndërsa 2 minuta më vonë tentativa e dyfishtë po e italianëve: në fillim Baloteli gjuan dy herë në zemër të zonës së portierit, por topi përplaset në trupin e Hart dhe shkon te Moltolivo, e djathta fluturimthi e të cilit kalon pak mbi traversë. Anglia kundërpërgjigjet në minutën e 64-t, duke shkaktuar të dridhura në zonën e italianëve, kur një kros i Uollkot nga e djathta largohet me kokë nga një mbrojtës axurr, por topi shkon te Jung, i cili gjuan, por gjuajtja e tij devijohet në momentin e fundit në goditje këndi. Italia vazhdon për minuta të tëra të dominojë qarkullimin e topit dhe të jetë më e rrezikshme. Minutat e fundit vijnë edhe nga një rast për skuadër, me Noçerinon dhe Runin. E pabesueshme, topi nuk dëshiron të futet në rrjetë! Kështu që të dyja skuadrat duhet të luajnë dy kohët shtesë nga 15 minuta. Ritmi i lojës nuk është më ai i kohës së rregullt dhe rasti i vetëm për gol në shtesën e parë është ai i Diamantit, i cili lëshoi një gjuajtje-kros, e cila do të përfundonte në shtyllën e djathtë të portës së Hart. Italia “alla Barcelona” menaxhon gjithçka dhe në 116 shënon edhe një gol me Noçerinon, por që anulohet për pozicion jashtë loje. Dhe për të përcaktuar gjysmëfinalen, dy skuadrat i besojnë ruletës së penalltive, ku i pari gabon Moltolivo (jashtë), por dy gabimet e njëpasnjëshme të Eshli Jang (traversë) dhe Eshli Kol (e pritur nga Bufon) i kushtojnë eliminimin Anglisë, ndërsa vulosin kështu kualifikimin e një Italie të bukur për t’u parë, që luan një futboll stil katalanas.
Gjermani-Itali
U desh ruleta e penalltive për të vendosur fituesin e çerekfinales së fundit të Euro 2012 mes Anglisë dhe Italisë. Në gjuajtjet nga pika e bardhë triumfuan axurrët 4-2, duke çuar përballë Gjermanisë në gjysmëfinalen superklasike pikërisht një skuadër të bukur si ajo e Prandelit
Angli
Itali
0 (2) -0 (4)
ANGLIA (4-4-1-1)
Xho Hart; Glen Xhonson, Xhon Terri, Xholeon Leskot, Eshli Kol; Xhejms Milner Teo Ullkot 61’), Steven Zherrard, Skot Parker (Xhordan Henderson 94’), Eshli Jung; Uejn Runi; Deni Uellbek (Andi Karrol 60’)
Tr.: Roi Hoxhson
ITALIA (4-1-3-2)
Xhanluixhi Bufon; Injazio Abate (Kristian Maxho 90’), Andrea Barzalji, Leonardo Bonuçi, Federiko Balzareti; Andrea Pirlo; Klaudio Markizio, Rikardo Montolivo, Daniele De Rosi (Antonio Noçerino 80’); Bario Baloteli, Antonio Kasano (Alesandro Diamanti 78’)
Tr.: Çezare Prandeli
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Shënues të 11-m: Zherrard 120+2′, Runi 120+4′ / Baloteli 120+1′, Pirlo 120+5′, Noçerino 120+7′, Diamanti 120+9′
Kartonë të verdhë: A. Barzalji 82’. K. Maxho 94’
