Arbitrja shqiptare Emanuela Rusta është caktuar nga UEFA të drejtojë ndeshjen Spanjë U-21 – San Marino U-21, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian.

Kjo është hera e parë që UEFA i beson një arbitreje shqiptare drejtimin e një ndeshjeje të djemve në nivelin U-21, një moment historik për arbitrimin shqiptar dhe për vetë Emanuela Rustën.

Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Angel Carro” në Spanjë, më 14 nëntor në orën 20:45, ndërsa e gjithë trupa gjykuese do të jetë shqiptare. Ilir Tartaraj dhe Xhulio Mani do të jenë asistentë të dytë dhe të tretë, ndërsa Andi Koçi do të mbajë detyrën e arbitrit të katërt.

Arbitrat shqiptarë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në ndeshjet europiane, dhe ky është një tjetër hap i rëndësishëm në afirmimin e arbitrimit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Për vite me radhë, Emanuela Rusta ka qenë një emër që ka sfiduar paragjykimet dhe kufijtë gjinorë në sport. Si e vetmja grua që ka gjykuar në nivelet më të larta të futbollit për meshkuj në Shqipëri, ajo ka fituar respektin e publikut dhe institucioneve ndërkombëtare.