Lamine Yamal vazhdon të mahnisë botën e futbollit. Edhe pse vetëm 18 vjeç, ylli i Barcelonës është tashmë një nga lojtarët të profilit më të lartë ndërkombëtar, me një ndikim që shkon përtej moshës së tij.
Kjo ka bërë që rrjeti amerikan CBS News t’i kushtojë një intervistë të gjatë për programin prestigjioz 60 Minutes, ku talenti spanjoll foli për jetën, karrierën dhe të ardhmen e tij.
Yamal tregoi se pavarësisht famës, ai përpiqet të mbetet i thjeshtë dhe i fokusuar te loja: “Është dashuria e parë e jetës sime dhe gjithmonë do të jetë. Miqtë e mi, prindërit e mi… të gjithë jemi të dashuruar me futbollin.”
Ai theksoi se gjithçka që bën është për të dhënë spektakël: “Argëtim — kjo është fjala. Luaj që njerëzit të kënaqen. Nuk kam qëllim të thyej të gjitha rekordet apo të bëj një milion driblime. Dua të kënaqem dhe që fëmijët të duan të jenë si unë.”
I pyetur për makinën e tij të parë, Yamal u shpreh me sinqeritet: “Dua të ndiej lirinë e të qenit në gjendje të ngas vetë. Do të isha i lumtur me një Audi, Mercedes apo Cupra. Nuk dua Lamborghini.”
Sulmuesi i talentuar tha se golat më të bukur që ka shënuar janë ai kundër Francës në Euro dhe ai ndaj Club Brugge.
Sa i takon ndeshjeve miqësore, ai tregon se përpiqet të ruajë respektin ndaj rivalëve: “Nuk janë të të njëjtit nivel si ne, ndaj nganjëherë përpiqem të tërhiqem pak dhe të pasoj më shumë.”
Yamal është krahasuar shpesh me Lionel Messin, por ai vetë nuk dëshiron të ndjekë hijen e askujt: “E respektoj Messi-n për gjithçka që ka bërë. Ai e di që nuk dua të jem ai. Dua të ndjek rrugën time. Nuk kam qëllim të vesh numrin 10 apo të imitoj stilin e tij.”
Duke folur për zgjedhjen mes Marokut dhe Spanjës, lojtari deklaroi: “Mundësia për Marokun ishte në mendjen time, sidomos kur arritën në gjysmëfinale të Botërorit, por nuk pata dyshime. U rrita në Spanjë, ndiej se është vendi im. Do të kem gjithmonë dashuri për Marokun, por vendosa për Spanjën.”
Me optimizëm dhe ambicie, Yamal tha se koha është ideale për të shkëlqyer me përfaqësuesen spanjolle: “Spanja ka vite që nuk është pretendente serioze për Botërorin. Mendoj se nuk kisha ardhur në një moment më të mirë. Do ta fitojmë.”
Përvoja e tij në Euro, ku debutoi në moshën 16-vjeçare, sipas tij ishte krejt natyrale: “E mora si një turne të të rinjve. Në autobus shikoja Instagramin, TikTok-un… pastaj hidhesha në fushë dhe kënaqesha.”
Ai shtoi se frymëzohet nga pasimet kreative të Messit dhe ato me pjesën e jashtme të këmbës të Luka Modricit: “Këto janë gjërat që më pëlqenin më shumë sesa driblimi.”

