Klubi i Ilirisë së Fushë-Krujës pretendon se futbollistët e saj nuk kanë ushtruar dhunë kundër atyre të Skënderbeut, duke i quajtur si ‘shpifje’ pretendimet e korçarëve. Në një reagim publik, Iliria tregon se forcat e rendit kanë qenë në ambientet e stadiumit për të garantuar sigurinë.
Përkundër deklaratës së Ilirisë, FSHF anuloi sfidën duke treguar për dhunën në ambientet e stadiumit të Fushë-Krujës.
Nga ana tjetër, klubi i Skënderbeut ka publikuar imazhet e dy futbollistëve që pretendoeht se janë dhunuar.

Njoftimi i Ilirisë:
DEKLARATË ZYRTARE – KF ILIRIA
Klubi i Futbollit Iliria sqaron opinionin publik, tifozët dhe institucionet përgjegjëse se në stadiumin “Redi Maloku”, gjatë ndeshjes me Skënderbeun, nuk ka ndodhur asnjë akt dhune apo incident. Çdo pretendim i kundërt është plotësisht i pavërtetë dhe përbën përpjekje për të krijuar tension të panevojshëm rreth klubit tonë.
Theksojmë se delegimi i medias dhe raportimi i tyre duhet të bazohet në fakte të verifikuara, pasi as lojtarët, as stafi dhe as tifozët tanë nuk janë përfshirë në asnjë konflikt. Çdo aludim për “dhunë në stadium” është një justifikim i pajustifikuar, i cili cenohet nga fakti se terreni ishte i rënduar për shkak të kushteve atmosferike, gjë që mund të ketë ndikuar në pakënaqësi sportive, por jo në sjellje të dhunshme, të cilat nuk kanë ekzistuar.
Gjatë mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, në ambientet e jashtme dhe të brendshme ishin të pranishme forcat e Policisë së Shtetit dhe njësia “Shqiponja”, të cilat garantuan rendin dhe sigurinë.
Në asnjë moment nuk ka pasur incident, konflikt apo situatë të pakontrolluar.
KF Iliria nuk i pranon këto shpifje dhe i konsideron ato sulm ndaj imazhit të klubit. Për këtë arsye, do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore ndaj çdo media apo individi që përhap lajme të rreme dhe të paqena për klubin tonë.
Ne mbetemi të fokusuar vetëm te sporti, etika dhe respekti për lojën.
KF ILIRIA




