Ndeshja e mbrëmjes së djeshme mes Shqipërisë dhe Ukrainës ishte një zhgënjim, pasi u mbyll me humbje, duke hedhur në tokë shpresat për të fituar grupin.

Teksa Sylvinho mori të gjithë përgjegjësinë mbi veten, edhe sulmuesi Myrto Uzuni, duket se fajëson pikërisht trajnerin.

Në intervistën pas ndeshjes, sulmuesi tha se braziliani nuk e preferon në majë të sulmit ,aty ku ai luan edhe tek Granada në Spanjë. Ai komentoi dhe debatin e krijuar për gjuajtjen e penalltisë, të cilën e fitoi vetë, duke thënë se ishte Sylvinho ai që zgjodhi Bajramin për të shkelmuar topin nga 11-metërshi.

“Unë jam sulmues dhe gjithmonë dua të shënoj se edhe te Granada i gjuaj dhe shënoj të gjithë penalltitë. Në ato momente fitova penalltinë, jam sulmues dhe doja të zhbllokohesha. A e caktoi trajneri? Mendoj se po, nuk jam shumë i sigurt, nuk dua të gënjej.

Aktivizimi? Për mua nuk ka problem se të gjithë e dinë që te Granada luaj si sulmues i dytë, në tre vitet e fundit i dini statistikat. Kur vij në Kombëtare trajneri nuk më preferon në majë të sulmit. Mund ta bëj shumë mirë edhe atë. Të luaj për kombin nuk është se lodhem.

Ju nuk e dini, por dje kam qenë i dëmtuar, kam bërë rezonancë e rrezikoja për një dëmtim. Ekipi i Granadës kërkoi të mos rrezikoja, unë mund të refuzoja e mos futesha kur isha 2-0 se rrezikoja karrierën. Por vendosa që të luaj që të tregoj që meritoj një vend për të luajtur”, tha Uzuni.