Novak Djokoviç ishte shumë pranë një skualifikimi gjatë ndeshjes së raundit të tretë në Australian Open ndaj Botic van de Zandschulp, pas një momenti tensioni që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e turneut.
Gjatë setit të dytë, tenisti serb shpërtheu nga nervozizmi dhe goditi topin me forcë, i cili fluturoi drejt anës së majtë të fushës në “Rod Laver Arena”, duke kaluar rrezikshëm pranë një vajze që mbante topat e tenisit. Për fat, topi nuk e preku atë, ndërsa Djokoviç ngriti menjëherë duart për të kërkuar ndjesë. Gjyqtari i takimit nuk mori masa disiplinore, duke shmangur edhe një paralajmërim zyrtar.
Komentatorët e ndeshjes theksuan se situata ishte shumë e rrezikshme dhe se, nëse topi do ta kishte goditur vajzën, Djokoviç mund të ishte skualifikuar menjëherë, ashtu siç i kishte ndodhur në US Open 2020 pas incidentit me një gjyqtare vije.
Pavarësisht këtij episodi dhe problemeve fizike me kyçin e këmbës dhe flluskat në këmbë, 38-vjeçari arriti të ruajë qetësinë në vazhdim. Ai fitoi ndeshjen, duke mbyllur setin e tretë 7-6 (7-4), dhe siguroi kualifikimin për në raundin e 16-të.
Me këtë fitore, Djokoviç hyri në histori, duke u bërë lojtari i parë që arrin 400 fitore në turnetë Grand Slam, me një bilanc 400-55, duke lënë pas edhe Roger Federerin. Në raundin tjetër, ai do të përballet me çekun Jakub Mensik, në përpjekje për të arritur për herë të 16-të në çerekfinalet e Australian Open, një tjetër rekord i mundshëm për serbin.
