Trajneri zbret spanjollët me këmbë në tokë: “Skuadra më pëlqen, por duhet të pranojmë humbjet”
Mbrëmjen e sotme, Spanja do të përballet me Francën për çerekfinalet e Euro 2012. Një sfidë e tillë është zhvilluar gjashtë herë gjatë kompeticioneve zyrtare që nga 1984 deri më sot. Spanja nuk ka fituar kurrë dhe, përjashto barazimin në Euro 1996, ka pësuar pesë humbje. Duket se ka ardhur momenti i hakmarrjes. Nëse është e vërtetë, që Spanja është skuadra më e fortë e Europës dhe e botës, është po aq e vërtetë që skuadra e Del Boskes nuk duket se është më koraca e pathyeshme e dy viteve më parë. Ndoshta për shkak të mungesës së David Vijës, ndoshta për një lojë të shndërruar në “e parashikueshme”, ndoshta për moshën që avancon, por “Furitë e Kuqe” nuk janë më ato të disa viteve më parë. Dhe një gjë të tillë e kanë treguar edhe Italia dhe Kroacia në ndeshjet e grupeve. Një Spanjë më pak shpërthyese se zakonisht ka bërë të shpërthejnë kritikët e “La Roja”-s së Del Boskes. Trajneri në prag të ndeshjes me Francën, i qëndron mendimit të tij: “Nuk jam nervoz. Është debatuar shumë për mënyrën se si kemi luajtur, por edhe kundër Kroacisë, sipas meje janë parë gjëra të mira. Në të ardhmen, do të ishte e rëndë të mos pranonin një humbje”. Dyshime për formacionin që do të përballet me blutë: “Do të jetë një sulmues, nuk e di se me çfarë karakteristikash”. Fabregas apo Torres? Mbetet dyshimi: “Mund të luajmë me një sulmues të lindur ose me një lojtar që impenjohet më shumë edhe në fazën defensive”, ka thënë trajneri për ‘Marca’-n. Franca, ana e saj, po luan rolin e viktimës së sakrifikueshme: “E dimë se si janë këto gjëra. Kur luajnë kundër Spanjës, të gjithë flasin mirë, por mund ta mundin nëse nuk ndihen superiorë. E njëjta gjë thuhej nga francezët edhe në gjashtë vite më parë, por më pas na eliminuan nga Botërori Gjermania 2006”. Del Boske nuk shikon shumë anomali me Kroacinë e Biliç: “Kjo është një skuadër që guxon më shumë, luan në mesfushën kundërshtare dhe krijon volum loje: Riberi, Benzema, Nasri, Kabaje janë lojtarë të mëdhenj”. Për të mundur transalpinët do të nevojitet edhe një fazë e mirë defensive: “Deri këtu jemi treguar të zotët, përveç ndonjë fragmenti në sfidën me Italinë. Ksabi Alonso e Buskets janë lojtarë krijues, por na japin mjaftueshëm ekuilibër edhe mbrapa. Me Kroacinë, përveç goditjeve të këndit dhe atyre të dënimit, na kanë sulmuar një herë të vetme. Dhe pastaj të gjitha kombëtaret kanë pasur nga pak probleme në këtë Europian…”. Në Spanjë, pavarësisht gjithçkaje, duket se humbja as nuk përfshihet në hipotezat e hedhura: “Nëse do të ishte kështu, për sportin në përgjithësi, do të ishte një problem i madh. Së fundmi është thënë gjithçka, por nuk merrem sot me futbollin. Prandaj nuk zemërohem, as nuk nervozohem. Skuadra duhet të luajë në grup dhe të izolohet nga ajo që thuhet jashtë. Kemi edhe detyrën që përfaqësojmë një popull, që po jeton vështirësitë e krizës: mund t’i japim një kënaqësi, por sigurisht nuk jemi ne zgjidhja”.
Fitorja më e thellë – Fitorja më e thellë mes të dyja skuadrave është 8-1 e Spanjës në një miqësore të luajtur në Saragoza në prill 1929: 1 nga 7 fitoret e Spanjës në 8 përballjet e para
Ndeshja e fundit – Spanja ka triumfuar 0-2 në përballjen e fundit të luajtur më 3 mars 2010, duke marrë edhe fitoren e parë në Francë, që nga 1968-a kundër skuadrës së Rajmond Domenekut
Bilanci nga 2006 – Nga humbja nga dora e Francës në Gjermani 2006, Spanja është mundur në vetëm 3 ndeshje zyrtare nga 46 të vlefshme për Europianë dhe Botërorë, duke fituar plot 40 herë
Portugalia – Skuadra e fundit që ka mundur Spanjën në një Europian ka qenë Portugalia në 2004: gol në minutat e fundit me Nuno Gomesh, që eliminonte spanjollët në çerekfinale