Al Nassr mund të marrë më në fund frymë lirisht; Cristiano Ronaldo i dha fund grevës së tij dhe është kthyer të stërvitet me skuadrën. Rreth 1 javë më parë, ylli portugezi vendosi të mos marrë pjesë në stërvitjet e skuadrës në shenjë protestë kundër fondit PIF që ka në pronësi disa klube të Saudi Pro League.

Cristiano Ronaldo ishte i pakënaqur për pabarazinë e mundshme të investimeve nga ana e PIF dhe transferimi i Karim Benzema te Al Hilal ishte pika që theu vazon. Ylli portugez nuk e kapërdiu dot dhe akuzoi sauditët se i destinonte burimet financiare te klubet e tjera që kanë në pronësi dhe jo te Al Nassr.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja ‘A Bola’ , pas grevës së Ronaldos qëndrojnë arsye të tjera akoma më të thella. 

Portugezi është bërë zëdhënës edhe i çështjeve të tjera në brendësi të Al Nassr, sic është pagesa e pagave të prapambetura të disa prej punonjësve dhe anëtarëve të stafit. Për më tepër, 5 herë fituesi i Topit të Artë kërkoi edhe kthimin në detyrë të José Semedo e Simão Coutinho, dy drejtuesve luzitanë të klubit që kanë rimarrë pushtetin që iu ishte hequr në fund të dhjetorit duke u penguar të marrin pjesë në merkaton e janarit.

Megjithatë, Cristiano Ronaldo nuk do të kthehet menjëherë në fushën e lojës. Ai nuk mund të grumbullohet për ndeshjen e Champions League Aziatike të mërkurën dhe do të duhet të presë për sfidën e kampionatit ndaj Al Fateh ditën e shtunë. Pra, nëse do të flasim për një fitues në këtë çështje, nuk ka dyshime; Ronaldo mori atë çfarë deshi dhe tani mund të kthehet të ndihmojë skuadrën e tij.

Top Channel