Një ngjarje e rëndë është raportuar në qytetin Trabzon të Turqisë, ku një ndeshje boksi ka përfunduar me dhunë jashtë ringut.
Boksieri rus Sergey Gorokhov, mbajtës i titullit UBO, është sulmuar brutalisht nga një grup tifozësh pas fitores së tij ndaj turkut Emirhan Kalkan. Sipas raportimeve, menjëherë pas përfundimit të duelit, situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa disa spektatorë të zemëruar kanë hyrë në veprim duke e sulmuar Gorokhov-in dhe ekipin e tij me karrige, grushte dhe shqelma.
Ngjarja ka ndodhur brenda arenës ku u zhvillua përballja, duke krijuar panik dhe tension të madh në sallë. Pamjet e para tregojnë një situatë kaotike, ku sigurimi është detyruar të ndërhyjë për të neutralizuar dhunën dhe për të mbrojtur sportistët. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të identifikuar personat e përfshirë në incident, ndërsa ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga organizatorët e eventit./ Top Channel
