Nuk ka fitues në kryesfidën e javës, Partizani bën gjithcka por nuk gjen dot golin dhe fitoren, me Kukësin që i shkon më shumë për shtat barazimi 0-0, rezultat i përsëritur në 3 nga katër përballjet e fundit mes dy skuadrave. Vinte pas një jave të trazuar Partizani ku i kthehej në portë pas ndjesës publike Alban Hoxha por tanimë pa shiritin e kapitenit që shkon në krahun e Bathës, debutim në kampionat për Edgar Canin, pritet shumë nga ai por edhe Alijev në sulmin e Kukësit ku mbështetej nga Guri, Bakaj dhe Kale. Vetëm 15 sekonda i duhen Canit për t’u prezantuar si duhet me Shametin, duel force me mbrojtësin që gjithsesi ngrihet shpejt për të dhënë sinjalin e parë.


Provë e rëndësishme për Iulianon pas disfatës së parë edhe pse nuk ka shkëlqyer as Milinkovic këtë fillim sezoni. Rast i shkëlqyer për Kukësin në minutën e12 me Kale që i vjedh topin Ibrahimit dhe depërton në zonë, por shpërdoron në mënyrë të pafalshme.  Në të 14 ka një tentativë të Idi Bathës me topin që shkon shumë lart për dëshpërimin e tifozëve të kuq. E pamundur të deshifrosh fytyrën e Luciano Moxhit, shumë më ekspresive fytyra e presidentit Safet Gjici,  janë minuta më të mira për skuadrën e Iulianos që gjithsesi nuk arrin të shërbej Canin me Prognin që nuk arrin të godasë si duhet në të 24-ën. Tifozëve të kuq ju duhet të mbeten ende në pritje të golit të parë në kampionat, me ritmin që ulet disi pas gjysme orë lojë, me pjesën e parë që nuk ka shumë për të treguar pervec dueleve të forta në mesfushë.


 


Në pjesën e dytë ka acarim te tifozët e kuq me arbitrin që thërret Hoxhën për t’i qetësuar, në të 52 shkon shumë lart goditja e Idriz Bathës, ndërsa dy minuta më vonë Cani ka pretendim për 11 metërsh pas një rrëzimi në zonë, nuk qëndron sipas kryesorit Xhaja. Rastet më të mira gjithsesi i ka Kukësi, si i Kale që vepron bukur për të nxjerrë të lirë Gurin që shpërdoron një shans ideal për golin. Në minutën e 58 Progni ja del të rezistojë në zonë, por goditja është drejt e në duart e Kolicit në të 64,  Trashi bën gjeometrin duke shpikur një trajektore ideale për të prezantuar Canin para Kolicit por ja del t’i paraprijë portieri sulmuesit të kuq.  3 minuta më pas Cani i hap rrugën goditjes së Adorjan, qendrore nuk shqetëson më shumë se cduhet Kolicin.


Përfundon pas 70 minutash ndeshja e Edgar Canit që i lë vendin Sukajt, ka një goditje të Kotobellit që shkon jashtë kuadrati dhe minutat në vijim jane të gjitha për Partizanin që kërkon me ngulm golin, Në të 84 Xhevahir Sukaj na kujton se prej cfarë brumi është gatuar me nje goditje klasi fluturimthi me topin që nuk gjen katërkëndëshin.


Në të 88 vetëm një Kolici në kostumin e Supermen mund të shpëtojë portën e Kukësit në një goditje kalibri të Idi Bathës, vërtet fantastik portieri i Kukësit që tejkalon vetveten në këtë rast, me Partizanin që mbetet para deri në fund por pa arritur të shënojë. Kukësi ja del të rezistojë për tu larguar me një barazim që duket se i shkon më shumë për shtat, pika e parë në kampionat ju rri ngushtë të kuqve, javën e ardhshme fitoren e parë duhet ta kërkojnë ndaj Skënderbeut.


18 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)