Do të ndërtohet palestra e peshëngritjes, salla e lojërave me dorë, pista e atletikës dhe pishina


parkuKompleksi Sportiv i Agjencisë së Shërbimeve të Sporteve, i njohur si kompleksi “Dinamo”, brenda 4 viteve të ardhshme do të pësojë një ndryshim rrënjësor, për t’u transformuar në atë që do të quhet “Parku Olimpik i Tiranës”. Kryeministri Rama, gjatë takimit me sportistët elitarë ka shpjeguar etapat e këtij projekti 4-vjeçar, që përbën një nga investimet më të rëndësishme për sportin në vendin tonë në vitet e fundit nga qeveria shqiptare.


Rama ka zbuluar se etapa e parë do të jetë ndërtimi i palestrës së re të peshëngritjes dhe mundjes, që do të fillojë menjëherë. “Ky është një projekt me të gjithë parametrat, ku ne besojmë se Erkandi, Danieli dhe të tjerët, pa frikë, do të mund të ftojnë për t’u stërvitur bashkërisht edhe kampionë të tjerë botërorë e olimpikë, nga çdo vend i botës, për të ardhur në këtë palestër e për t’u ndier në çatinë e botës, sikur tha Erkandi, nga pikëpamja e kushteve. Më në fund do të keni dushe, më në fund do të keni sauna, më në fund do të keni dhoma zhveshjeje personale, të ndara”.


Etapa e dytë do të jetë largimi i federatave sportive nga ambientet e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për t’u sistemuar në “mjedise normale” për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Përkrah tyre do të krijohen hapësira në mënyrë që në këto ambiente të zhvillojë veprimtarinë edhe KOKSH dhe Komiteti Antidoping. “Kështu do të bëhet e mundur që në një hapësirë të integruar plotësisht të mblidhet gjithë struktura zinxhir e sportit, që ka të bëjë me linjën e shumësportëshit”, shpjegoi Rama.


Paralelisht, po planifikohet rindërtimi i plotë i sallës së lojërave me dorë, që do të kthehet në një qendër funksionale, edhe për zhvillimin e ndeshjeve të aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare. “Do të jetë një ngrehinë tërësisht e re, aty ku që nga koha kur ishte Ela Tase e vogël kemi trashëguar disa kolona betoni të harkuara, të cilat po i gërryejnë vitet. Dhe ndërkohë, do të akomodojmë skuadrat e lojërave me dorë dhe në kushtet kur do të duhet, edhe një kapacitet prej 1400 sportdashësish”, tha ai për këtë pjesë të Parkut Olimpik të Tiranës.


Në këtë kompleks do të ndërtohet edhe një fushë olimpike, me një sipërfaqe prej rreth 13 mijë m2, me një pistë atletike të standardeve ndërkombëtare. Ndërkohë, në një fazë të mëvonshme do të shihet me prioritet mundësia e ndërtimit të një pishine në dispozicion të sportistëve. Duke u bazuar në projektin fillestar, qeveria shqiptare ka akorduar rreth 10 milionë euro për realizimin e transformimit të kompleksit ekzistues.


Peshëngritja


Palestra e re do të jetë etapa e parë e ndërtimit të kompleksit. Sipas afateve, ajo pritet të jetë funksionale në fillimin e vitit 2015


Atletika


Rindërtimi i stadiumit “Qemal Stafa” parashikon një impiant pa pistë atletike, ndaj kjo mangësi do të plotësohet në kompleksin e ri


Lojërat me dorë


Pallati i ri i lojërave me dorë do të shërbejë për stërvitje, por edhe për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare


Futbolli


Kryeministri e ka cilësuar “projekt emergjence” investimin që po bëhet nga qeveria për rindërtimin e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan