Partizani ka bërë një hap drejt kualifikimit në turin tjetër të Ligës së Konferencës, pasi ka barazuar duelin e parë në transfertë në Estoni ndaj vendasve të Nome Kalju me shifrat 1-1.

Të kuqtë kanë zhvilluar një ndeshje të kujdesshme, për të marrë një rezultat që u jepte mundësi të vendosnin gjithçka në sfidën e kthimit. Ndaj ata kanë administruar me qetësi lojën duke mos lejuar vendasit t’i afroheshin portës së Qirkos, ndonëse ata kishin më shumë kontrollin e topit në pjesën e parë, ku humbën edhe shërbimet e Kekos për dëmtim.

Edhe goli i pësuar shpejt në startin e pjesës së dytë nuk demoralizoi të kuqtë të cilët iu përgjigjën shpejt vendasve me Skukën. Sulmuesi vendosi baraspeshën me tentativën e tij dhe më pas provoi të gjente edhe golin e dytë, në një fraksion loje që pat më pak raste. Në fund u desh ndërhyrja vendimtare e Qirkos për të ruajtur portën nga goli i Smith në shtesë, duke bërë që dueli të mbyllej me shifrat 1-1 që favorizojnë të kuqtë për sfidën e kthimit në Tiranë.

Zhgënjen Vllaznia që në Elbasan u mund 0-1 nga Letonezët e Daugavpils, teksa pësoi gol befasues në minutën e 85-të.  Shkodranët dominuan ndeshjen por u goditën në fund. Gjithsesi janë ende 90 minuta për t’u luajtur.