Çështja
Pritej një zgjidhje përfundimtare e çështjes ligjore dhe mosmarrëveshjeve mbi Partizanin, me vendimin që mund të merrte Gjykata e Apelit në kryeqytet, por nuk ishte e thënë. Palët e përfshira në këtë çështje, Ministria e Mbrojtjes dhe Albert Xhani janë paraqitur para relatores, gjyqtares Seqine Sollaku, në orën 13:00, por nuk kanë arritur të konsumojnë një seancë normale e të plotë. Shkak për këtë është bërë avokati i Xhanit, Fatmir Brraka, i cili ka kërkuar shtyrjen e seancës, duke kërkuar edhe më shumë kohë, pasi nuk është njohur me dosjen përkatëse. Kjo gjë është kundërshtuar nga avokatët e Ministrisë së Mbrojtjes, por gjyqtarja Sollaku ka vendosur në favor të palës së paditur. Ajo ka njoftuar zhvillimin e seancës së radhës më 27 qershor, duke e vënë në dyshim të madh të ardhmen e kësaj skuadre, e cila duhet të regjistrohet me status të qartë ligjor dhe me aksesorët e tjerë infrastrukturorë për sezonin e ri futbollistik, si pjesë e Kategorisë së Parë.