Të kuqtë zyrtarizojnë sulmuesin 27-vjeçar. Argjentinasi do të mbajë veshur fanellën numër 27
Ëndrra e tifozëve të Partizanit për të pasur një sulmues që mund t’i çojë drejt titullit, bëhet realitet. Ashtu siç kishte premtuar një javë më parë, klubi i kuq ka zyrtarizuar dhe prezantuar dje sulmuesin argjentinas Agustin Gonzalo Torasa pas kryerjes me sukses të vizitave mjekësore. Kjo është goditja e radhës në këtë merkato dimri pas disa blerjeve të tjera të rëndësishme. Torasa është prezantuar në mjediset e klubit në prani të drejtorit të përgjithshëm, Dervishi, dhe sekretarit Burba. “Klubi njofton se Agustin Torasa është zyrtarisht lojtar i Partizanit. Sot në mesditë, argjentinasi ka mbyllur gjithçka me drejtuesit e klubit, teksa ka firmosur kontratën deri në përfundim të këtij sezoni, me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës futbollistik. Në prani të drejtorit Dervishi dhe sekretarit Burba, Torasa është prezantuar në ambientet e klubit të kuq. Sulmuesi 27-vjeçar, i cili së fundmi ka qenë pjesë e argjentinasve të Club Atletiko Huracan, skuadër që garon në “Primera Divizion”, do të mbajë veshur fanellën me numrin 27″, thuhet në njoftimin për shtyp të Partizanit. Agustin Torasa mund të luajë si sulmues i dytë, i zhvendosur paksa në krahë apo pas qendërsulmuesit. Futbollisti amerikanolatin ka qenë në aktivitet të plotë gjatë 2015-s dhe gjatë karrierës ka luajtur në veprimtari të rëndësishme si Primera Division i Argjentinës, një kampionat mjaft i fortë apo dhe Kupa Libertadores, ekuivalenti i Champions League në Europë. Në skuadrat ku ka luajtur, Torasa shfaqet si një sulmues i dytë, shtatshkurtër dhe i zhdërvjellët, mjaft teknik dhe me nuhatje të fortë për golin. Verën e kaluar, kartoni i tij vlerësohej nga faqja e specializuar transfermakt.de në shumën e 490 mijë paund, edhe pse nuk dihet ende nëse te të kuqtë do të transferohet me formulën e huazimit apo atë të blerjes përfundimtare. Me këtë goditje, Partizani përforcon edhe më shumë organikën, pasi gjatë muajit janar ka siguruar Atandën, Ramadanin, Felipe Gomez dhe Emiljano Vilën. Një merkato për t’u pasur zili nga klubet e tjera dhe që kënaq kërkesat e trajnerit italian, Agostineli, i cili tashmë ka “luksin” për të zgjedhur formacionin më të mirë. Tri pikë larg Skënderbeut në renditje nuk janë shumë dhe me cilësinë e lojtarëve të afruar së fundmi, lufta për titull ndizet edhe më shumë. Ndërkohë, burime nga klubi i kuq bëjnë me dije se Torasa do të grumbullohet për ndeshjen e së shtunës ndaj Laçit kur starton dhe faza e tretë e Superligës.
SKEDA
Argjentinasi Agustín Gonzalo Torassa ka lindur më 20 tetor 1988, në Resistencia. Ai e filloi karrierën me Atlético All Boys në Argjentinë. Pastaj nënshkroi një marrëveshje huazimi 1-vjeçare me FC Red Bull Salzburg të Austrisë. Që aty u kthye në Argjentinë dhe firmosi me Chacarita Juniors, pas 6 muajsh në Austri. Ka provuar të veshë edhe fanellën e disa skuadrave të tjera në Argjentinë.