“Rrahmani”
Klubi i Partizanit ka fituar një tjetër gjyq, këtë herë sa i përket transferimit të Amir Rrahmanit, me RNK Split që do të jetë e detyruar të paguajë 60 mijë euro për kartonin e mbrojtësit, që u transferua verën e kaluar në Kroaci. Vendimi është marrë nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA dhe dje është njoftuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në muajin shkurt, palët u dukën sikur arritën një marrëveshje në FIFA pas pretendimit të klubit shqiptar se pavarësisht përfundimit të kontratës me mbrojtësin, të kuqtë duhet të përfitonin nga kalimi i tij në Kroaci shumën, duke qenë se kishte stërvitur për dy vjet lojtarin. Klubi i origjinës, ishte Drenica, por në atë periudhë Kosova nuk ishte e njohur ende në FIFA. RNK Split, gjatë asaj kohe, nuk arkëtoi paratë në arkën e klubit të kuq dhe madje kërkoi zgjidhjen e çështjes në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Por kjo e fundit votoi në favor të klubit të Partizanit dhe klubi kroat duhet të paguajë shumën prej 60 mijë eurosh brenda 30 ditësh.