Supersfida
Kupa rikthen ethet dhe emocionet e “El Clasico”-s shqiptare
Altin Manallari
Kryeqyteti, por jo vetëm, thuajse e gjithë vendi do të mbajë sot frymën për derbin e madh të futbollit tonë, ndeshjen që është konsideruar gjithnjë si “El Clasico” shqiptare ndër vite, duke shkruar shumë faqe të historisë së kampionateve kombëtare. Sfidën më emocionuese dhe pasiononte edhe rikthen pikërisht turi i parë i Kupës së Shqipërisë, në një moment që i gjen skuadrat në pozita diametralisht të kundërtat, por që gjithsesi nuk e ka zbehur aspak atmosferën e kësaj supersfide, që ka mbajtur peshë zemrat e brezave të tërë. Kjo sfidë i ka munguar publikut prej më shumë se tre vjetësh të pasionuarve të futbollit shqiptar. Pikërisht në fundin e sezonit 2008-2009 të kuqtë iu dorëzuan fatit të hidhur të rënies në Kategoria e Parë, i mbytur nga probleme të shumta financiare dhe të tjera. Megjithatë, tani kur vetëm pak orë na ndajnë nga derbi, interesimi është i jashtëzakonshëm, edhe pse mendohet se në fushën e lojës do të ketë diferenca në nivelin e cilësisë së lojtarëve mes bardhebluve elitarë dhe të kuqve inferiorë. Një ndeshje më vete do të jetë pikërisht ajo në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa” mes dy tifozerive, të cilat konsiderohen armike të përbetuara në rreth 60 vite histori përballjesh mes tyre. Tirana konsiderohet favorite për këtë ndeshje. Megjithatë, bardheblutë nuk dëshirojnë të nënvlerësojnë aspak rivalin historik. Trajneri Artur Lekbello do të ketë vetëm dy mungesa: Peposhin e dëmtuar dhe Karabecin të skualifikuar. Por në fushë sot do të zbresë ekipi më i mirë bardheblu, me synimin për të marrë një fitore me rezultat të thellë. “Jo vetëm kryeqytetasit, por të gjithë shqiptarët e presin me interes të madh këtë derbi, u shpreh dje Lekbello. Kjo përballje në Kupë nuk i merr vlerat e duhura. Do të më pëlqente që të përballeshim si dy skuadra të të njëjtës kategori, sepse vlerat e fitores do të ishin shumë më të larta. Gjithsesi, lojtarët e mi e dinë që duhet të japin maksimumin për të realizuar objektivin. Tifozët e kanë dëshirën e tyre, por edhe skuadra edhe ne lojtarët si në çdo ndeshje, jo vetëm kundër Partizanit, duam ta fitojmë me rezultat të thellë. Minimumi është që të fitojmë këtë sfidë për tifozët tanë”, përfundon Lekbello. Në anën tjetër, një punë e vështirë e pret trajnerin Ilir Çoçlli, Partizani i të cilit sot do të synojë të harrojë gjithë problemet që e kanë shqetësuar në 4 vitet e fundit, dhe me një ekip të rinjsh do të kërkojë të sfidojë me dinjitet rivalin me të urryer. “Entuziazmi nuk diskutohet që është i madh, përjetimi është maksimal, rrëfen Çoçlli. Skuadra ka shprehur gatishmërinë dhe është e karikuar për këtë sfidë, që të thuash të drejtën, Partizani nuk e shijon siç duhet, por edhe tifozët janë të etur për t’u përballur me një tifozeri si ajo e Tiranës, apo të Dinamos. Do të përballemi me gjithë mundësitë dhe fuqitë, ne jemi një ekip që nuk ka çfarë humbë, ndaj thjesht do të luajmë me kokën lart. Edhe sikur të humbasim thellë, gjë që besoj se nuk do të ndodhë të përsëritet rezultate 8-0, ne do të hyjmë në fushë për të treguar vlerat e bluzës tonë për një përballje dinjitoze ndaj Tiranës”, thotë në fund tekniku i të kuqve, Ilir Çoçlli.
Bilanci i 133 derbeve: 53 herë të kuqtë, 40 barazim dhe vetëm 40 bardheblutë
Tirana favorite, por statistikat flasin në favor të Partizanit
Ishte viti 1947, ai që fiksoi edhe “ditëlindjen” e derbit më të madh shqiptar, atij mes Partizanit dhe Tiranës, që më pas do të bënte historinë e futbollit tonë, duke dhuruar emocione të mëdha për breza të tëra. Vetëm një vit pas krijimit të klubit Partizani (1946), në mars të 1947 vjen edhe u luajt edhe derbi i parë me bardheblutë, që u fitua nga të kuqtë 4-2. Që nga ajo kohë e deri më sot janë zhvilluar në total në rreth 62 vite plot 133 ndeshje mes tyre, ku shifrat flasin në favor të Partizanit: të kuqtë kanë fituar 53 herë, 40 ndeshje janë mbyllur në barazim dhe vetëm 40 i kanë fituar bardheblutë. Partizani ka shënuar 195 gola, kundrejt 155 të Tiranës. Dominimi i Partizanit, por edhe i Dinamos në kohën e diktaturës, ishte i dukshëm, dhe pavarësisht tentative të vazhdueshme të bardhebluve në vitet 60 dhe në vitet 80, statistikat në këtë periudhë flasin për një dominim të dukshëm të Partizanit në përballjet direkte me Tiranën. Bardheblutë kanë dominuar ndjeshëm, pas viteve ’90, ku kanë rikuperuar një pjesë të mirë të diferencës në përballjet me rivalin historik. Në gusht të 1947-s shënohet edhe fitorja më e thellë e Partizanit ndaj Tiranës, me shifrat 8-0, statistikë që mbeti e pathyeshme për dekada me radhë. Më 22 shtator të vitin 1985, Tirana e një brezi të artë futbollistësh shënoi fitoren më të thellë ndaj Partizanit, me rezultatin 7-3, takim që ka mbetur në kujtesën e tifozëve të shumtë bardheblu, që kanë pasur mundësi ta ndjekin këtë takim nëpërmjet televizionit. Por sot Tirana është favorite dhe kësaj historie të pafundme emocionesh do t’i shtohet edhe një tjetër kapitull.
Kupa e Shqipërisë
(Turi I)
Grupi A
16:00 Olimpik-Skënderbeu
19:00(?) Partizani-Tirana
16:00 Himara-Kastrioti
16:00 Iliria-Vllaznia
16:00 Butrinti-Shkumbini
16:00 Elbasani-Apolonia
16:00 Besëlidhja-Kukësi
16:00 Dinamo-Kamza
Kupa e Shqipërisë
(Turi I)
Grupi B
16:00 Gramozi-Teuta
16:00 Naftëtari-Flamurtari
16:00 Tërbuni-Bylis
16:00 Adriatiku-Laçi
16:00 Ada-Tomori
16:00 Gramshi-Luftëtari
16:00 Burreli–Besa
16:00 Lushnja-Pogradeci