Këshilli i Ministrave miraton projektligjin që ndryshon ligjin e vitit 1994 për sponsorizimet. Bizneset do të mund të zbresin drejtpërdrejt deri në 30% të tatimit mbi fitimin për mbështetjen e sportit, artit dhe kulturës. Futbolli ka qenë zëri më i fortë dhe këmbëngulësi kryesor i kësaj kauze, ku në momente të caktuara është përfshirë edhe Basketbolli.
Më në fund! Pas vitesh pritjeje, kërkesash, debatesh dhe betejash institucionale, vjen një zhvillim që mund të ndryshojë të ardhmen e sportit shqiptar. Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për ndryshimin e ligjit të sponsorizimeve, duke hapur rrugën për një model të ri financimi përmes biznesit privat. Nuk është thjesht një ndryshim ligjor, por një moment me peshë për një sektor që prej shumë vitesh ka kërkuar një mekanizëm të vërtetë për të tërhequr investimet private. Ligji aktual daton prej vitit 1994 dhe për një kohë të gjatë nuk ka arritur të krijojë stimujt e nevojshëm për kompanitë që duan të investojnë në sport.
Lajmin e ka bërë publik ministri Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë zhvillim si hapjen e një kapitulli të ri për sportin, artin dhe kulturën shqiptare.
30% lehtësi fiskale dhe një mekanizëm i ri për biznesin
Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën se si trajtohen sponsorizimet nga ana tatimore. Sipas nenit të ri 5/1, bizneset që paguajnë tatim mbi fitimin do të kenë mundësi të zbresin drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor shumën e sponsorizuar për veprimtari publike në sport, art dhe kulturë, deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës.
Me fjalë të thjeshta, një kompani që vendos të financojë një klub, federatë, akademi apo aktivitet sportiv nuk do ta konsiderojë më këtë mbështetje vetëm si një shpenzim, por do të ketë mundësi të përfitojë një lehtësi të drejtpërdrejtë në detyrimet e saj ndaj shtetit. Projektligji përfshin edhe sponsorizimet në natyrë, me një mekanizëm të veçantë dhe një kufi prej 30%, të lidhur me rezultatin financiar dhe detyrimin tatimor të vitit pasardhës.
Sipas njoftimit të ministrit, potenciali i mbështetjes për sportin, artin dhe kulturën mund të arrijë deri në 2 miliardë lekë në vit, përtej buxhetit të shtetit.
Edhe përfituesit do të kenë lehtësi
Një tjetër pikë e rëndësishme është se të ardhurat e përfituara nga sponsorizimi parashikohen të jenë të patatueshme për subjektin që i merr ato. Ato nuk do të përfshihen as në rezultatin financiar për klasifikimin e tatimpaguesit sipas shkallëve tatimore. Kjo do të thotë se klubet, federatat dhe organizatat përfituese do të mund ta përdorin mbështetjen e siguruar për zhvillimin e aktivitetit të tyre, pa u penalizuar nga vetë fakti që kanë përfituar një sponsor.
Futbolli, zëri më i fortë i një beteje që zgjati me vite
Edhe pse ligji i ri synon të gjithë sportin shqiptar, një fakt nuk mund të anashkalohet: Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë institucioni që e ka ngritur më fort, më vazhdimisht dhe me më shumë këmbëngulje këtë çështje. Për vite me radhë, futbolli ka kërkuar ndryshimin e kuadrit ligjor, duke propozuar alternativa dhe duke këmbëngulur që biznesi privat të ketë stimuj konkretë për të investuar në sport. Në momente të caktuara, kësaj përpjekjeje i është bashkuar edhe Federata Shqiptare e Basketbollit, duke ngritur nevojën për një sistem më të favorshëm sponsorizimesh. Megjithatë, futbolli ka qenë zëri më i qëndrueshëm dhe më këmbëngulës në këtë kauzë, duke e mbajtur çështjen vazhdimisht në tryezën e diskutimit institucional.
Momenti më i fortë erdhi në vitin 2020, kur Liga Profesioniste e Futbollit dhe klubet e Kategorisë Superiore paralajmëruan bojkotimin e kampionatit, duke e vendosur miratimin e një ligji funksional për sponsorizimet në krye të kërkesave të tyre ndaj qeverisë. Futbolli shqiptar kërkonte një zgjidhje konkrete dhe jo më premtime.
Për këtë arsye, zhvillimi i sotëm ka një domethënie të veçantë edhe për futbollin, i cili prej vitesh ka kërkuar që sponsorizimi të mos mbetet vetëm një akt vullnetar i biznesit, por të shndërrohet në një instrument të mbështetur nga lehtësi konkrete fiskale.
Transparencë dhe kontroll mbi paratë
Për të shmangur abuzimet, projektligji parashikon detyrimin për dokumentimin e sponsorizimeve përmes kontratave, raporteve mbi përdorimin e fondeve dhe dokumenteve të tjera financiare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një regjistri elektronik kombëtar të sponsorizimeve, për të garantuar transparencë dhe gjurmueshmëri. Kriteret dhe mënyra e përfitimit të lehtësive do të përcaktohen më tej me vendim të Këshillit të Ministrave.
Një element tjetër është e drejta e ankimit. Nëse administrata tatimore refuzon njohjen e lehtësisë, sponsorizuesi do të ketë 30 ditë kohë për të paraqitur ankim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me mundësi për të ndjekur edhe rrugët e tjera ligjore.
Nga ligji i vitit 1994 te një kapitull i ri për sportin shqiptar
Përtej futbollit dhe basketbollit, ndryshimi synon të përfshijë të gjithë sportin shqiptar, nga federatat dhe klubet profesioniste te akademitë, sportet individuale dhe sportistët e rinj. E njëjta logjikë mbështetjeje do të zbatohet edhe për artin dhe kulturën.
Miratimi i projektligjit në Këshillin e Ministrave është një hap vendimtar, ndërsa tashmë pritet vijimi i procedurave parlamentare për ta kthyer atë në ligj. Pas kaq shumë vitesh pritjeje, Shqipëria është më pranë një mekanizmi që mund të ndryshojë mënyrën e financimit të sportit. Për klubet, kjo mund të nënkuptojë më shumë mundësi për të siguruar burime financiare, për të mbajtur sportistët dhe për të investuar te akademitë. Për federatat, më shumë hapësirë për zhvillim. Për të rinjtë, më shumë mundësi për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive.
Beteja ka zgjatur shumë. Futbolli e ka mbajtur këtë kërkesë në qendër të vëmendjes për vite me radhë, me mbështetjen në momente të caktuara edhe të basketbollit. Tani sfida është që ndryshimi ligjor të kthehet në investime konkrete.
Top Channel
