Ndeshja me Jordaninë nesër mbrëma në “Air Albania” nuk do të jetë vetëm një test miqësor për Kombëtaren kuqezi.

Kështu u shpreh në konferencën për media tekniku Silvinjo duke nënvizuar se çdo ndeshje luhet për t’u fituar.

“Nuk besoj në miqësore, në çdo ndeshje futet për ta fituar ndeshjen. Jemi duke punuar shumë. Nesër do kemi që në mëngjes, njëmbëdhjetëshen që do të kemi në fushë. Do kemi hapësirë për të gjithë”, u shpreh braziliani.

Më tej Silvinjo zbuloi për gazetarët edhe mesazhin më surprizues që mori pasi mposhti Serbinë në Leskovc.

“Kam marrë shumë komplimente dhe shumë urime. Dhjetë ditë më parë kam pasur bisedë telefonike me Roberto Mançinin, ka qenë edhe Zabaleta e stafi aty. Pas ndeshjes ai më ka shkruar: Bravo Silvio ke bërë shumë mirë në këtë ndeshje dhe për mua mendimi i tij do të thotë shumë”, zbuloi ai.