Pas një vere të mbushur me dilema, hezitime dhe lënie pezull, Juventus bën prapakthehu dhe rikthehet fuqishëm në gjurmët e Granit Xhakës. Bardhezinjtë, që gjatë merkatos së verës u tërhoqën për shkak të moshës dhe kostos së operacionit, tani në prag të janarit po përgatisin sulmin final për mesfushorin shqiptar të Zvicrës, i cili po shkëlqen me Sunderlandin surprizë, aktualisht në vend të katërt në Premier League.

Sipas “Tuttosport”, CEO-ja i Juventusit, Damien Comolli, është i bindur se Xhaka, tashmë 34 vjeç, është profili ideal për të marrë në dorë frenat e lojës në skemën 4-3-3 që Spalletti po mendon të adoptojë për “Juven e re”. Nga ana tjetër, klubi anglez nuk duket i prirur të vendosë barriera dhe mund ta lërë të lirë për rreth 15 milionë euro, një shifër jo e papërballueshme për torinezët.

Bardhezinjtë kanë nisur të korrigjojnë gabimet e verës, ku u mbështetën tek ideja se dyshet Locatelli–Thuram do të mbanin barrën e mesfushës në të gjitha frontet. Por Spalletti kërkon një organizator të vërtetë, një lojtar me eksperiencë që di të udhëheqë një skuadër relativisht të re dhe ta stabilizojë lojën në momentet kyçe.

Ndërkohë, te Juventusi po bëhen edhe lëvizjet taktike: Thuram duket i destinuar të luajë më avancuar në krah, McKennie gjithashtu shihet më shumë si gjysmësulmues, ndërsa Koopmeiners pritet të përfundojë përfundimisht në rolin mbrojtës.