Carlo Ancelotti ka nisur zyrtarisht punën për projektin e ri të Kombëtares së Brazilit. Trajneri italian mbërriti në Rio de Janeiro, ku zhvilloi takime me drejtuesit e Federatës Braziliane të Futbollit (CBF) për të përcaktuar hapat e ardhshëm në përgatitjen e skuadrës.
Gjatë vizitës në selinë e CBF-së, Ancelotti u takua me Departamentin e Ekipeve Kombëtare për të diskutuar planin e punës dhe organizimin e grumbullimeve të ardhshme, me synimin për të ndërtuar ekipin që do të përfaqësojë Brazilin në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2030.
Trajneri 67-vjeçar bëri të ditur se do të nisë një proces rinovimi të skuadrës, duke u dhënë hapësirë futbollistëve të rinj, por pa hequr dorë nga lojtarët me eksperiencë.
“Objektivi ynë është të krijojmë një ekip të ri. Do të ndjekim nga afër dhe do të testojmë futbollistë të rinj, por kjo nuk do të thotë se do të lëmë jashtë ata që kanë qenë pjesë e Kombëtares në Botërorin e fundit. Ka lojtarë me përvojë që ende mund t’i japin shumë Brazilit”, u shpreh Ancelotti.
Në ditët në vijim, tekniku italian dhe stafi i tij do të rikthehen në terren për të ndjekur nga afër ndeshjet e kampionatit brazilian, Kupës së Brazilit, si dhe kompeticione të tjera ku aktivizohen futbollistë brazilianë në mbarë botën. Qëllimi është vlerësimi i formës së lojtarëve dhe zgjerimi i bazës së përzgjedhjes për ekipin kombëtar.
