Erik ten Hag ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bayer Leverkusen për ta shkarkuar vetëm pas dy javësh në stolin e ekipit gjerman, duke u bërë trajneri i larguar më shpejt në historinë e Bundesligës.

Holandezi u shpreh i zhgënjyer dhe i tronditur nga mënyra si klubi menaxhoi situatën, duke theksuar se nuk iu dha as kohë, as besim për të ndërtuar skuadrën e re.

“Këtë verë, shumë lojtarë kyç u larguan nga ekipi. Ndërtimi i një skuadre të re është proces i vështirë dhe kërkon kohë. Një trajner i ri meriton hapësirë për të vendosur vizionin e tij. Mendoj se kjo marrëdhënie nuk bazohej në besim të ndërsjellë”, deklaroi Ten Hag.

Në dy ndeshjet e para të sezonit, Leverkusen regjistroi një humbje dhe një barazim. Shefi ekzekutiv, Fernando Carro, e cilësoi vendimin “të dhimbshëm, por të nevojshëm”.

Nga merkato e verës, Leverkuseni humbi disa emra kryesorë si Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong (te Liverpool), Granit Xhaka (te Sunderland), ndërsa Jonathan Tah dhe Lukas Hradecky gjithashtu u larguan.

Ky ishte rikthimi i parë i ten Hag në stolin e një skuadre që prej shkarkimit nga Manchester United në tetorin e kaluar, duke pësuar të njëjtin fat. Sipas gazetës gjermane ‘Sport Bild’, shkarkimi i holandezit do t’i kushtojë Leverkusenit pothuajse 6 milionë euro në formë kompensimi për ndërprerjen e kontratës.