Futbollisti i famshëm, Erling Haaland, është bërë sërish protagonist jashtë fushës së blertë, këtë herë për një arsye të pazakontë.
Sulmuesi norvegjez u fotografua duke zbritur nga avioni në Oslo me një pellush në formë rakuni që mbante në duar një shishe alkooli, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Pas mbërritjes në Norvegji, ylli i Manchester City publikoi edhe një fotografi në Snapchat me të njëjtin pellush, të cilën e shoqëroi me mbishkrimin: “Më ndoqi deri këtu. Si ta quajmë?”.
Postimi u bë menjëherë viral, ndërsa pellushi u kthye në një fenomen në treg. Sipas raportimeve, kërkesa për lodrën është rritur ndjeshëm dhe shitjet kanë shënuar një rritje të madhe pas paraqitjes së Haaland me të.
Megjithatë, jo të gjithë e kanë pritur pozitivisht këtë veprim. Organizata për mbrojtjen e kafshëve Leal ka kritikuar ashpër sulmuesin, duke argumentuar se ekspozimi i tillë forcon perceptimin e kafshëve si objekte argëtimi.
Sipas shoqatës, përdorimi i figurave të kafshëve në këtë mënyrë mund të dërgojë një mesazh të gabuar, duke normalizuar trajtimin e tyre si sende dhe jo si qenie që meritojnë respekt.
