Ceremonia prestigjioze e “Topit të Artë” do të zhvillohet këtë vit për herë të parë në Londër, në kuadër të 70-vjetorit të krijimit të çmimit më të rëndësishëm individual në futbollin botëror.
Tradicionalisht eventi organizohet në Paris, por organizatorët kanë vendosur që edicioni i këtij viti të mbahet më 26 tetor në kryeqytetin anglez, si një homazh për Stanley Matthews, futbollistin legjendar anglez që fitoi “Topin e Artë” të parë në histori në vitin 1956.
Sipas organizatorëve, Londra është zgjedhur për simbolikën historike që lidhet me Matthews, i konsideruar si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ish-ylli i Stoke City dhe Blackpool zhvilloi mbi 800 ndeshje në karrierë dhe fitoi FA Cup me Blackpool në vitin 1953.
Në të kaluarën, ceremonia është mbajtur edhe në Zyrih gjatë periudhës së bashkëpunimit mes FIFA-s dhe “Topit të Artë”, ndërsa vitet e fundit ishte rikthyer në Paris, madje në një rast u organizua pranë Kullës Eiffel.
Organizatorët kanë lënë të kuptohet se në të ardhmen ceremonia mund të zhvillohet edhe në vende të tjera jashtë Francës, duke reflektuar dimensionin gjithnjë e më ndërkombëtar të çmimit.
Aktualisht, fituesi në fuqi i “Topit të Artë” për meshkuj është Ousmane Dembele, ndërsa te femrat çmimi mbahet nga Aitana Bonmati.
Mes favoritëve për edicionin e këtij viti përmendet edhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, pas një sezoni fantastik me gola, ndërsa në garë shihen edhe emra si Lamine Yamal, Declan Rice dhe Ousmane Dembele.
