Kombëtarja shqiptare e futbollit do të “luftojë” në muajin mars për një biletë që të çon në Botërorin 2026. Kuqezinjtë do shkojnë në fazën e kualifikimit “Play off”, me shpresën që të kapërcejnë Poloninë e më pas fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi, për të shkruar emrin për herë të parë në aktivitetin më të rëndësishëm për kombëtare në botë.
Por përveç historisë, në lojë është dhe një shpërblim i “majmë”. FIFA ka zbuluar se ka rritur shifrën që do t’u paguajë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha të Katarit me rastin e finales së Kupës Interkontinentale, ka miratuar një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo ekip i cili merr pjesë në Botërorin 2026. Kjo është shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë për ekipet përfaqësuese në një kompeticion të tillë, ku janë rritur edhe shpërblimet për çdo fazë që kalohet në turne, për të arritur deri në 50 milionë euro më shumë që do të përfitojë skuadra e cila shpallet Kampione Bote.





