Bashkëshortja e futbollistit të Kombëtares së Spanjës, Marc Cucurella, Claudia Rodríguez, ka qenë shumë pranë tragjedisë së rëndë hekurudhore që ndodhi të mërkurën në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 74 persona.

Rodríguez po udhëtonte drejt Malagës me trenin që vinte pas njërit prej trenave të përfshirë në aksidentin tragjik. Ajo i shpëtoi për pak minutash fatkeqësisë, ndërsa pas përplasjes, treni me të cilin udhëtonte u detyrua të kthehej drejt Madridit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo tregoi se ishte në gjendje të mirë, por se ngjarja e kishte tronditur thellë.

“Po udhëtoja drejt Malagës me trenin pasues dhe jam në shok. Dua të shpreh gjithë mbështetjen time për familjarët dhe miqtë e viktimave”, shkroi ajo.

Më tej, bashkëshortja e futbollistit sqaroi se treni me të cilin udhëtonte nuk ishte prekur drejtpërdrejt nga aksidenti, pasi distanca mes dy trenave ishte e konsiderueshme.

“Jam mirë, miqtë e mi. Treni im nuk u prek aspak, sepse distanca nga treni i përfshirë në aksident ishte e madhe. Na u desh vetëm të ktheheshim dhe të drejtoheshim për në Madrid, pasi po udhëtonim në të njëjtën linjë”, bëri të ditur Rodríguez.

Ajo shtoi se mendimi se e njëjta fatkeqësi mund t’i kishte ndodhur edhe trenit të saj e kishte tronditur, megjithatë theksoi se kjo nuk mund të krahasohej me atë që përjetuan pasagjerët e trenit të përfshirë në përplasje.

Sipas bilancit të publikuar të enjten nga komisioni hetimor për aksidentet hekurudhore në Ministrinë spanjolle të Transportit, të paktën 74 persona humbën jetën nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë.

Aksidenti ndodhi të mërkurën në mëngjes, në komunën e Ordas, në rajonin e Kastiljes-La Mançës, në pjesën qendrore të Spanjës. Sipas raportimeve paraprake, një tren i kompanisë shtetërore Renfe u përplas me një tren të operatorit privat Iryo, pasi ky i fundit kishte ndaluar për shkak të një problemi elektronik në sistemin e sinjalizimit.

Në momentin e aksidentit, në të dy trenat ndodheshin rreth 550 persona. Tragjedia ka shkaktuar tronditje të madhe në Spanjë, e cila ka shpallur tri ditë zie kombëtare.

Top Channel