Për Kombëtaren e Shqipërisë të drejtuar nga Sylvinho, ka mbërritur momenti vendimtar. Dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve për Botërorin 2026 do të përcaktojnë nëse kuqezinjtë do të arrijnë objektivin historik: kualifikimin në “play-off”. Në grupin K, Anglia e ka siguruar tashmë vendin e parë dhe kalimin direkt, ndërsa Shqipëria dhe Serbia janë në garë të fortë për vendin e dytë.

Sfida e parë e nëntorit, ajo e mbrëmjes së sotme ndaj Andorrës, ka rëndësi të veçantë. Shqipëria e di se ndeshja e fundit përballë Anglisë do të jetë tepër e vështirë, ndaj çdo pikë në këtë përballje është jetike. Serbia, nga ana tjetër, do të përballet me Andorrën dhe Letoninë në dy ndeshjet e saj të fundit, çka e bën garën akoma më të tensionuar.

Tri pikët kundër Andorrës do të ishin oksigjeni që mban gjallë ëndrrën kuqezi për Botërorin e vitit 2026. Të dyja sfidat përmbyllëse pritet të jenë të mbushura me emocion, pasi do të tregojnë nëse Shqipëria mund të lërë pas Serbinë dhe të sigurojë vendin e dytë në grup. Megjithatë, fati i kuqezinjve nuk është plotësisht në duart e tyre: edhe Anglia duhet të luajë me seriozitet ndaj Serbisë, në të kundërt, çdo fitore shqiptare mund të mbetet pa vlerë.

Andorra, ndërkohë, konsiderohet një prej skuadrave më të dobëta të Europës, me vetëm një pikë të grumbulluar në shtatë ndeshjet e para të grupit. Shqipëria hyn si favorite absolute dhe kërkon një fitore të qartë, për të ruajtur presionin mbi Serbinë përpara ndeshjes përmbyllëse në “Air Albania Stadium” ndaj Anglisë.

Formacioni i mundshëm

Në portë do të jetë i zakonshmi Strakosha. Krahët e mbrojtjes janë të siguruar me Hysajn në të djathtë dhe Mitajn në të majtë, ndërsa në qendër nuk mungon kapiteni Gjimshiti. Për vendin tjetër në mbrojtje garojnë Ajeti dhe Ismajli, ky i fundit rikthyer nga dëmtimi në formë të shkëlqyer.

Në mesfushë pritet një duel mes Berishës dhe Laçit, ndërsa Asllani dhe Shehu mbeten shtyllat kryesore të repartit. Në sulm, Broja dhe Hoxha do të veprojnë nga krahët, me Manajn në qendër – heroit të ndeshjes së fundit kundër Serbisë në Leskovac.

Shqipëria është në prag të një sfide që mund të përcaktojë historinë e saj moderne: të dyja ndeshjet e nëntorit nuk janë më thjesht për pikë, por për ëndrrën e madhe kuqezi – Botërorin 2026.