Kroati shënon golat e fitores 3-0 ndaj Elbasanit. Laçi ndal Skënderbeun në Korçë
Ermal Kuka
Kukësi ka nisur arratisjen i vetëm në krye të klasifikimit të Kategorisë Superiore, pasi ka arritur të krijojë një distancë sigurie prej 3 pikësh prej Tiranës, ndjekëses më të afërt. Kuksianët kanë bërë dje detyrën ndaj Elbasanit, duke fituar falë tre golave të të zakonshmit Pejiç, ndërsa kanë parë sesi një tjetër rival direkt, Skënderbeu, humbiste terren me një hap të gabuar.
Ashtu siç pritej, në ndeshjen e djeshme të luajtur në “Zeqir Ymeri”, kryesuesit e Superiores nuk e kanë ndier mungesën e tifozëve të ndëshkuar për të qëndruar një javë jashtë stadiumit. Avantazhi i shpejtë, që në minutën e parë me Pero Pejiç, i ka mundësuar Kukësit që jo vetëm të luante i qetë, por edhe t’i lejonte vetes disa pavëmendje përballë elbasanasve, duke rrezikuar të pësonte golin e barazimit, por Lamçja goditi shtyllën në rastin më të mirë që iu shfaq verdhebluve përballë Halilit. Udhëzimet e Shaqirit nga pankina bënë që skuadra të rigjente ritmin dhe të mbyllte pjesën e parë në sulm, duke krijuar disa raste. Megjithatë, goli i dytë do të vinte vetëm në minutën e 54-t, me anë të Pejiç i cili përfitoi nga një asist i shkëlqyer i Hysës. Kroati do të shënonte edhe golin e tretë të kësaj ndeshjeje, në minutën e 87-të të sfidës, duke çuar në 14 numrin e rrjetave të tundura në këtë kampionat (nga 26 në total të Kukësit).
Nëse kuksianët kanë arritur të gjejnë me lehtësi rrugën e rrjetës falë golashënuesit kroat, Skënderbeu e ka ndier shumë mungesën e golashënuesit të kësaj skuadre, Peter Olainkas, i ulur në tribunë pas dënimit të dhënë nga Komisioni i Apelit. Në sfidën përballë Laçit, korçarët kanë dominuar me lojë dhe raste të krijuara, por nuk kanë qenë aspak rezultativë në finalizimin e aksioneve. Berisha iu afrua më shumë golit në pjesën e parë të ndeshjes, por gjuajtja e tij në portën e kurbinasve u ndal nga shtylla. Më pas, vijuan një seri gjuajtjesh të gabuara të Sefës e Martins, të cilët edhe në momentet kur gjenin kuadratin, kishin përballë Vujadinoviç, në një formë të shkëlqyer, i cili ndalonte çdo tentativë. Laçi kaloi thuajse gjithë ndeshjen në mbrojtje, por në fund u shpërblye me këtë pikë të fituar pas barazimit 0-0 në transfertë. Ndërsa Skënderbeu ka dalë i zhgënjyer nga fusha, pasi ka humbur dy pikë dhe terren në luftën për titull që mbetet objektivi kryesor i korçarëve.
Në vendin e tretë atyre u është bashkuar Partizani, të cilit i kanë mjaftuar 12 minuta për të likuiduar Apoloninë në një transfertë e cila kishte rezultuar problematike për të kuqtë në fazën e parë të kampionatit. Brenda këtyre 12 minutave, të kuqtë arritën të shënonin dy herë falë Vilës dhe Rrahmanit, për t’iu kthyer menjëherë më pas taktikës së tyre të preferuar: tërheqjes në mbrojtje dhe përdorimit të kundërzbritjeve për të rrezikuar portën kundërshtare. Kësisoj, iniciativa e ndeshjes ishte e gjitha në dorën e Apolonisë, me Ribajn e Dimon që shpërdoruan disa mundësi të mira shënimi në portën që mbrohej nga Xhika. Në minutën e 75-të, Ribaj arriti të mposhtte portierin, por topi u ndal nga Rrahmani para se të kalonte vijën, ndërsa 10 minuta më vonë, ishte Atanda që iu afrua golit, por goditja e tij me kokë u ndal nga shtylla. Kësisoj, të kuqtë morën një fitore të vyer 2-0 në Fier, duke mbetur pjesë e grupit të pretendentëve.
Teuta ka arritur të marrë tri pikë të rëndësishme për t’iu larguar zonës së ftohtë të klasifikimit, duke mundur 2-1 Vllazninë. Në një ndeshje shumë të luftuar, gjithçka është vendosur nga goli në minutën e parë shtesë të Çotës, i cili ka shkëputur ekipin e tij nga vendet e fundit të klasifikimit. Ndërsa shkodranët dukej se kishin filluar që dje të mendonin për Kupën, ku në mesjavë i pret një sfidë e vështirë kundër Kukësit.
Kategoria Superiore
Java 20
Kukësi-Elbasani 3-0
1′, 54′, 87′ Pejiç
Teuta-Vllaznia 2-1
41′ (p) Nika, 90’+1′ Çota / 67′ Sosa
Skënderbeu-Laçi 0-0
Apolonia-Partizani 0-2
5′ Vila, 12′ Rrahmani
Të premten
Tirana-Flamurtari 1-0
85′ Ndikumana
Renditja
Skuadra Nd. P
Kukësi 20 44
Tirana 20 41
Skënderbeu 20 40
Partizani 20 40
Laçi 20 29
Flamurtari 20 25
Vllaznia 20 23
Teuta 20 19
Elbasani 20 9
Apolonia 20 9