Situatë kaotike në “Elbasan Arena” pas mbylljes së ndeshjes mes Elbasanit dhe Vllaznisë, ku diskutohej kreu i Superiores. Skuadra verdheblu fitoi 1-0 në një sfidë të mbushur me tension, që ka vazhduar edhe pas vërshëllimës përfundimtare.

Fillimisht lojtarët e Vllaznisë janë gjendur nën një rrebesh fyerjesh nga tifozët e Elbasanit, ndërsa më pas janë përfshirë edhe mbështetësit e Vllaznisë duke sjellë kaos në tribuna. Polica ka ndërhyrë duke ndaluar disa tifozë shkodranë dhe kjo ka tensionuar edhe më shumë situatën me mbështetësit e tjerë të kuqebluve që u janë kundërvënë forcave të rendit në ambientet para stadiumit.

Situata nuk ka qenë më e qetë as në dhomat e zhveshjeve, ku dy skuadrat nuk kanë kursyer fjalët ndaj njëra-tjetrës dhe situata është tensionuar deri në atë pikë sa u desh ndërhyrja e policisë edhe aty për të qetësuar gjakrat dhe për të mbyllur një ndeshje e cila kaloi përtej sferës sportive.