Mbrojtësi i Tiranës rrëfen udhëtimin e çuditshëm nga Italia në Shqipëri për të luajtur futboll
Altin Manallari
“Nuk jemi ambientuar vërtet. Të shikosh lojtarë shqiptarë që kërkojnë të afirmohen në Europë me skuadra pak a shumë të mëdha, është normale. Emigrimi drejt Gjermanisë dhe Italisë, mbi të gjitha, bëhet me logjikën për t’iu larguar periferisë së lojës me top, të cilës nuk i besojnë shumë. Por i pari që kapërceu Adriatikun në sensin e kundërt ishte pikërisht një italian, Bepe Dosena, në 2002-shin në drejtimin e kombëtares së Shqipërisë. Xhani de Biazi është trajneri aktual i “Shqiponjave”. Tre janë futbollistët shqiptarë që militojnë në Serinë A: Samir Ujkani te Palermo, Lorik Cana te Lacio dhe Erjon Bogdani te Siena. Ndërsa Françesko Pigoni ka vazhduar udhëtimin e tij personal që e ka çuar kundër rrymës të firmosë për Tiranën, klubin më të titulluar të Shqipërisë. Ish-lojtari i Pro Verçelit dhe Savonës, i lënë jashtë nga futbolli profesionist italian, ky mbrojtës emilian i datëlindjes ’86, ka vendosur të emigrojë drejt Lindjes”. Është pikërisht kjo hyrja e një interviste të gjatë, që “Skysport.it” i ka marrë mbrojtësit të Tiranës, Françesko Pigonit, i cili ka rrëfyer për median e njohur të përtej Adriatikut aventurën e tij prej emigranti në vendin tonë.
Françesko, e juaja është një histori e mahnitshme, si përfunduat në Shqipëri?
Eh, ndodhi gjithçka shumë shpejt. Pas vitesh në Di Lega Pro nuk mundesha të gjeja një skuadër, për shkak të detyrimit që klubet kanë për të aktivizuar të rinjtë dhe atëherë, pasi isha stërvitur me Banolezen, m’u propozua kjo zgjidhje.
Dhe e pranuat menjëherë?
Në realitet e pata të vështirë, ekzistojnë shumë paragjykime për Shqipërinë dhe për kampionatin e saj të futbollit, por më pas mbizotëroi mundësia për të luajtur në Serinë A (kategori elitare) me një klub prestigjioz, i cili ndoshta vitin tjetër do të më japë mundësinë të debutoj në fazën eliminatore të Kupave të Europës. Kështu që bëra tri ditë testim dhe më propozuan një kontratë njëvjeçare me një rrogë të mirë.
Si ndiheni?
Mirë, jetoj vetëm, sistemimi nga ana logjistike është shumë i mirë, kam pak vështirësi me gjuhën, por gjithsesi kuptohem.
Dhe si është futbolli shqiptar?
Është fizik, aplikohet pak taktikë, por dominojnë aftësitë e individit dhe për mua që jam një mbrojtës është problem.
Jeni pjesë e klubit me më shumë tituj, si dhe antagonist i Partizanit, që është kundërshtari historik, pastaj është edhe Dinamo. Si përjetohen rivalitetet mes këtyre klubeve?
Me Partizanin ekziston vërtet një rivalitet i madh. Pastaj këtu gjithçka është e lidhur me politikën. Kush është në pushtet ka më shumë para dhe mund të bëjë skuadra më të mira. Presidenti ynë është kryebashkiaku i Tiranës dhe klubi nuk ka probleme, ai i Partizanit i ka humbur zgjedhjet dhe ata kanë përfunduar në fillim në Kategorinë e Tretë dhe tani janë në Kategorinë e Dytë B. Le të themi që unë kam qenë me fat.
Në xhiro, në Tiranë, a të njohin njerëzit?
Të them të drejtën e kam praktikuar pak xhiron në qytet, i cili gjithsesi është i këndshëm. Ndonjëherë dal për të bërë një shëtitje dhe lojtarët janë njerëz të njohur. Prandaj më kanë thënë se duhet t’i mbaj sytë hapur.
Cila është konsiderata për italianët?
Përgjithësisht e mirë, sepse shikohen si ata që sjellin para, por dikujt, ndoshta, nuk i pëlqejnë shumë. Por mendoj se kështu është kudo, edhe te ne ndodh kështu me të huajt.
A e ndiqni kampionatin italian?
Po, aq sa mundem, edhe sepse këtu Seria A italiane është më e ndjekur se sa kampionati shqiptar. Unë jam tifoz i Milanit, por rezultati i parë që pyes është ai i Pro Verçelit, atje kam lënë shumë miq.
Me Pro-në do të kishit bërë një promovim të mirë, nëse do të kishit pasur mundësinë të qëndronit. Por…?
Në fakt pata probleme me klubin, pavarësisht se gëzoja besimin maksimal të trajnerit Braghin dhe më vjen keq që ai është shkarkuar. Është mëkat.
Çfarë shikoni në të ardhmen tuaj?
Eh, sigurisht që nuk do të qëndroj këtu deri në fund të karrierës sime, shpresoj të kthehem në Itali, por jam i hapur edhe për të tjera zgjedhje.
Çfarë ju mungon më shumë nga atdheu juaj?
Miqtë me të cilët të mund të flas edhe në momentet më të vështira.