E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet totalisht e paqartë, me mesfushorin kuqezi që prej kohësh nuk bën pjesë në planet e Inter, me klubin zikaltër që e ka nxjerrë në shitje. Problemi i vetëm në këtë pikë është mungesa e ofertave në drejtim të tij. Së fundmi, sipas mediave italiane, Asllani i është ofruar ekipit të Monzës, me këta të fundit që janë të detyruar të futen në merkato për të gjetur një zëvendësues për Matteo Pessina-n që pësoi një dëmtim shumë të rendë.
Trajneri Ivan Jurić ka konfirmuar se problemi në gju do ta mbajë Pessinën jashtë fushave për një periudhë të gjatë, duke bërë që klubi të kërkojë përforcime në këtë repart.
Në këtë situatë, emri i Kristjan Asllanit është shfaqur si një alternativë për Monzën pasi edhe dëshira e lojtarit është të qëndrojë në Serie A. Interi kërkon të arkëtojë të paktën 10-15 milionë euro për kartonin e Asllanit, por sipas mediave italiane, zikaltërit mund të marrin në konsideratë edhe një formulë huazimi, ose me detyrim blerje që mund të aktivizohet në rast se Monza arrin të sigurojë mbijetesën në Serie A.
