Së fundmi, nuk ka më asnjë ditë të qetë në Qendrën Sportive të Real Madrid. Skuadra madrilene po përjeton përplasje të brendshme çdo ditë; situata ka arritur në kufij ekstremë dhe rrallë është parë diçka e tillë në futbollin spanjoll. E përditshmja Marca raportoi këtë të enjte për një tjetër konflikt mes Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni — po, edhe një herë, madje më i rëndë se më parë.

Tensioni është bërë i padurueshëm dhe atmosfera po përkeqësohet nga dita në ditë. Lojtarët e “Los Blancos” mezi presin fundin e sezonit. Ky incident i fundit ka qenë sërish shumë i rëndë dhe, sipas raportimit të “Marca”, ka përfunduar me mesfushorin uruguaian në spital. Megjithatë, të dy pritet të jenë titullarë në “El Clásico”.

Real Madrid u detyrua të zhvillojë një mbledhje urgjente dhe të marrë masa të menjëhershme pas asaj që ndodhi. Edhe këtë herë, situata nisi me një përplasje të ashpër, e cila detyroi ndërhyrjen e disa anëtarëve të skuadrës. Marrëdhëniet mes lojtarëve janë në një pikë shumë të keqe.

Sipas burimeve të pranishme në fushën stërvitore, konflikti ka qenë “shumë më i rëndë” se ai i disa ditëve më parë mes të njëjtëve protagonistë.

Ky është një moment tensioni i paprecedentë në Madrid. Klubi organizoi një mbledhje emergjente, duke mos lejuar asnjë lojtar të largohej nga Qendra Sportive gjatë kohës që funksiononte një lloj “shtabi krize”. Sezoni duket i pashpëtueshëm, por drejtuesit duan t’i japin fund kësaj përshkallëzimi tensioni, për të mos e nisur sezonin e ardhshëm me një barrë të rëndë. Madje, ndaj dy lojtarëve është hapur edhe një procedurë disiplinore pas incidentit.