Janë rritur tensionet në prag të javës së 35-të të kampionatit shqiptar të futbollit.
Flamurtari reagon ashpër ndaj caktimit të arbitrave për ndeshjen e sotme, duke e konsideruar përzgjedhjen e Eldorian Hamitit si një vendim që cenon integritetin e garës. Klubi vlonjat pretendon se pavarësisht ankesave zyrtare, FSHF ka injoruar kërkesat e tyre, duke caktuar për të tretën herë në katër takimet e fundit ndaj Teutës të njëjtin arbitër.
Deklarata e plotë:
Në prag të ndeshjes së sotme, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me përzgjedhjen e arbitrit Eldorian Hamiti për të gjykuar këtë takim. Pavarësisht shkresave të dërguara në mënyrë zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kemi paraqitur rezervat dhe problematikat tona të mëparshme, konstatojmë se në 4 ndeshjet e fundit ndaj Teutës, në 3 prej tyre është caktuar i njëjti arbitër.
Përvoja jonë me këtë arbitër ka qenë e shoqëruar me vendime të diskutueshme dhe situata që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e lojës, duke krijuar dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë dhe standardin e gjykimit. Në këto kushte, ritheksojmë kërkesën tonë për një vlerësim më të kujdesshëm dhe profesional në përzgjedhjen e arbitrave, në mënyrë që të garantohet një garë e drejtë dhe transparente për të gjitha palët.
Ky reagim nuk ka për qëllim të cenojë askënd personalisht, por të mbrojë integritetin e garës dhe interesin e klunit tonë./ Top Channel

