Një tension i papritur është krijuar brenda kombëtares franceze në prag të Botërorit 2026, pasi Federata Franceze e Futbollit u ka kërkuar lojtarëve të pranojnë uljen e bonuseve financiare.
Sipas raportimeve, federata i ka kërkuar kapitenit Kylian Mbappé dhe pjesës tjetër të skuadrës të bëjnë një “sakrificë financiare” në kuadër të kursimeve për balancimin e buxhetit.
Aktualisht, çdo lojtar i kombëtares franceze përfiton mbi 21 mijë euro për ndeshje si pagesë për të drejtat e imazhit dhe aktivitetet promocionale të sponsorëve.
Vetëm pak muaj më parë, pas fitores 4-0 ndaj Ukrainës në kualifikuese, bonuset individuale u dyfishuan nga rreth 21 mijë euro në 42 mijë euro, pas kërkesës së Mbappé dhe me miratimin e presidentit të federatës, Philippe Diallo.
Tani, ndryshimi i qëndrimit nga ana e federatës ka surprizuar futbollistët, sidomos pasi kërkesa për ulje vjen vetëm katër muaj pas rritjes së bonuseve.
FFF argumenton se masa lidhet me nevojën për kursime në të gjitha ekipet kombëtare, por ky shpjegim është parë me skepticizëm.
Kjo pasi kombëtarja franceze gjeneron të ardhura shumë të larta, veçanërisht nga kontrata me kompaninë “Nike”, e cila raportohet se kap vlerën mbi 100 milionë euro në vit.
Deri tani, federata dhe “Les Bleus” nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërsa diskutimet pritet të vijojnë gjatë grumbullimit të skuadrës më 28 maj në Clairefontaine.
