La Liga
Imazhi i futbollit vazhdon të marrë goditje të forta, ndërsa skandali më i fundit ka shpërthyer në Spanjë. La Liga është tronditur nga një prej situatave më klasike, ai i komplotit të skuadrave për të siguruar mbijetesën në kampionatin elitar. Viktimë e ndereve në sezonin që sapo u mbyll u bë Vijareali, një skuadër që e nisi sezonin në Champions League, por tashmë do të jetë e detyruar të luajë në Liga Adelante, në kategorinë e dytë spanjolle. Në fakt, Granada dhe Rajo Valekano kanë bërë një komplot për të shpëtuar të dyja në dëm të “nëndetëses së verdhë”. Tashmë janë zbuluar edhe detajet e episodit të papranueshëm, që pritet të shoqërohet me hetime dhe ndëshkime. Pak minuta përpara mbylljes së ndeshjeve të javës së fundit në Spanjë, Granada kishte 43 pikë, Vijareali 42 dhe Rajo Valekano 41, duke bërë që këta të fundit të binin nga kategoria. Por, në minutën e 88, Vijareali pëson gol në sfidën kundër Atletikos së Madridit, megjithatë Rajos i nevojitej një gol që të mbijetonte.
Në anën tjetër edhe duke humbur, Granada do të qëndronte në elitë dhe pikërisht këtu vjen kompromisi. Lojtarët e Rajo Valekanos dhe Granadës nisin diskutimet në fushën e lojës për të kuptuar se cila do të ishte situata më e favorshme dhe pas një serie tentativash jo të mira të largimit të topit nga mbrojtja kundërshtare, vendasit shënojnë golin e fitores me Tamudon, që për më tepër u karakterizua edhe nga një pozicion jashtë loje.
Ngjarja është pohuar edhe nga njëri prej protagonistëve më aktivë të Rajo Valekanos, Miguel Perez Kuesta, i njohur me emrin Miçu, që ka folur për radion spanjolle “Cope”. “Kur më informuan se Atletiko e Madridit kishte shënuar, ua thashë këtë disa lojtarëve të Granadës. Nuk e mbaj mend me kë fola, por ai më pyeti nëse kjo ishte e vërtetë dhe më kërkoi t’i betohesha”, tha Miçu. Pamjet filmike tregojnë se mesfushori fliste me Injigio Lopez përpara rrjetës vendimtare për mbijetesën.