Rreth orës 11:00, është sulmuar fizikisht kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 11:00, jemi njoftuar për një sulm fizik në parkun e Gërmisë, ku lëndime trupore ka pësuar një person. Nga ana e policisë është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, tha Flora Ahmeti për AP.

Ahmeti nuk ka dhënë më shumë detaje rreth sulmit dhe se kush mund të ketë qenë i dyshuari, apo të dyshuarit.

Sulmi ndaj tij ka ndodhur në ditën kur Ademi feston ditëlindjen, me ç’rast FFK ka bërë një urim të veçant për të në orët e para të ditës së sotme.