Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksidentin tragjik të ndodhur në Itali, ku portieri i ekipit të Interit, përplasi për vdekje një të moshuar në karrige me rrota.
Sipas mediave vendase, aksidenti ndodhi në provincën e Komos, teksa viktima është identifikuar si 81-vjeçari Paolo Saibene. I moshuari, që lëvizte me karrige elektrike me rrota, u përplas për vdekje nga makina e portierit të dytë të Interit, Josep Martinez, 27-vjeçar.
Përplasja ndodhi në “Via Bergamo”, pak para orës 10:00 të mëngjesit. Saibene po udhëtonte vetëm në karrocën e tij elektrike, e cila dyshohet se në një moment ka pësuar defekt. Kjo e ka detyruar të moshuarin të lëvizte në korsinë e gabuar dhe aty është gjendur përballë me Martinez që e ka përplasur.
I moshuari pësoi lëndime të rënda dhe trauma të shumta, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe helikopteri i emergjencës. Fatkeqësisht, për 81-vjeçarin nuk kishte më asgjë për t’u bërë dhe ai ndërroi jetë.
Nga ana tjetër, Martinez u gjet në gjendje shoku dhe u kontrollua nga mjekët në vendngjarje. Karabinierët po vijojnë hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të tij.
Pas tragjedisë, Interi anuloi konferencën për shtyp të planifikuar për orën 14:00 me trajnerin Christian Chivu, e cila do të zhvillohej në qendrën stërvitore të Pinetinës, përpara ndeshjes të së mërkurës ndaj Fiorentinës.



