Në kërkim tifozi i Tiranës që dyshohet për goditjen ndaj Refik Halilit
Policia e Shtetit ka bërë bilancin e “luftës” në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke bërë të ditur pasojat e ndeshjes Vllaznia-Tirana. 13 të arrestuar, 1 në kërkim dhe 41 persona që ndiqen penalisht në gjendje të lirë, është përfundimi i bilancit nga forcat e rendit, të cilat kanë dhënë versionin e tyre mbi momentin kur është goditur presidenti i Tiranës, Refik Halili, duke insistuar se një tifoz i bardhebluve ishte ai që kishte kryer gjestin e dhunshëm.
“Në stadium kanë qenë të pranishëm rreth 7000 sportdashës, nga të cilët 450 mbështetës të ekipit të Tiranës, të cilët u vendosën në tribunën A, të ndarë nga sportdashësit vendas. Rreth minutës së 75 të kësaj ndeshjeje sportdashësit e ekipit të Tiranës, të cilët ishin akomoduar në tribunën A të stadiumit, kanë filluar të shkulin stolat e stadiumit dhe t’i hedhin ato në pistë, duke goditur forcat e policisë. Në këtë moment është dëmtuar në kokë, i goditur nga këta tifozë, edhe presidenti i ekipit të Sport Klub Tiranës, i cili është përpjekur të qetësojë situatën. Forcat e policisë kanë ndërhyrë, duke bërë të mundur normalizimin e situatës. Në përfundim të ndeshjes, një grup prej 50 personash i tifozëve të Tiranës, kanë kaluar kangjellat, duke hyrë në pistë, ku kanë goditur me stolat e stadiumit punonjës të policisë të planizuar me shërbim. Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e policisë të planizuar me shërbim të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë për normalizimin e situatës, sigurimin e tifozëve miq dhe shoqërimin në komisariat të personave që kanë kryer këto akte të dhunshme”, shpjegohet në njoftimin e publikuar nga Policia e Qarkut Shkodër, e cila ka dhënë edhe shifrat zyrtare të të dëmtuarve. “Gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë kanë pësuar dëmtime pesë punonjës policie të Komisariatit të Policisë Shkodër, të cilët, pasi kanë marrë mjekim, kanë dalë nga spitali. Po ashtu, janë lënduar lehtë dhe 12 persona, të cilët pas marrjes së mjekimit janë larguar pa probleme”, shkruhet në këtë njoftim zyrtar, edhe pse si tifozët e Vllaznisë, ashtu edhe ata të Tiranës, pretendojnë se numri i të dëmtuarve nga të gjitha palët është shumë më i madh nga pretendimet e policisë.
Për sa u përket arrestimeve të kryera dje, dhe procedimit penal ndaj personave të përfshirë në incidentet e djeshme, policia ka marrë për bazë për identifikimin jo vetëm pamjet e videove që i janë vënë në dispozicion nga televizione të ndryshme që po filmonin në “Loro Boriçi”, por edhe nga filmimet amatore të bëra nga persona të ndryshëm. Në disa prej tyre shfaqet momenti kur është goditur presidenti i Tiranës, Refik Halili, nga një pjesë stoli e stadiumit, që ka fluturuar nga tifozët bardheblu. Policia e Shkodrës pretendon se ka gjetur edhe personin që ka gjuajtur numrin 1 të bardhebluve, duke shpallur në kërkim 22-vjeçarin Maringlen Burreli, banues në Tiranë dhe një prej organizatorëve të “Tirona Fanatics”.
Në listën e 13 personave të arrestuar në flagrancë bie në sy edhe emri i Astrit Premçit, ish-futbollist i Vllaznisë dhe tashmë trajner në akademinë e këtij klubi. Sipas burimeve pranë klubit të Vllaznisë, gjatë përleshjes së të enjtes, Premçi është përfshirë në debat me tifozët e Tiranës që sulmuan disa lojtarë të akademisë, duke reaguar dhunshëm ndaj tyre. Policia ndërkohë vazhdon të shqyrtojë pamjet filmike, për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këto ngjarje që shëmtuan imazhin e futbollit në Shqipëri.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka filluar që në natën e së enjtes mbledhjen e materialeve për ngjarjet e kësaj ndeshjeje, duke caktuar veprat penale të parashikuara nga nenet 236, 274 dhe 150 të Kodit Penal. Edhe gjatë ditës së djeshme, ajo ka inspektuar vendngjarjen, ka kontaktuar me forcat e rendit që janë përfshirë në përplasjet e dhunshme, me përfaqësues të klubeve dhe FSHF-në. Personat e arrestuar në flagrancë do të dalin sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Të arrestuar
- Aldo Çelmeta, vjeç 20, banues në Tiranë
- Alban Rexha, vjeç 37, banues në Tiranë
- Getart Çeltiku, vjeç 37, banues në Tiranë
- Erlind Allmeta, vjeç 23, banues në Tiranë
- Denis Karaj, vjeç 34, banues në Tiranë
- Julis Zhllima, vjeç 18, banues në Tiranë
- Sajmir Ramekaj, vjeç 46, banues në Shkodër
- Alfred Larushku, vjeç 21, banues në Shkodër
- Ndue Doçi, vjeç 21, banues në Shkodër
- Astrit Premçi, vjeç 34, banues në Shkodër
- Arben Mujaj, vjeç 21 banues në Shkodër
- Zef Kroni, vjeç 21, banues në Shkodër
- Naim Duca, vjeç 57, banues në Shkodër
Në kërkim
- Maringlen Burreli, vjeç 22, banues në Tiranë
Akuzat për të cilët procedohen tifozët
Neni 236
Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik
Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
Neni 274
Prishja e qetësisë publike
Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 150
Shkatërrimi i pronës
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Vendimi
Komisioni kundër Dhunës në Sport mblidhet javën e ardhshme
Kryeministri – “Stadiumet në Shqipëri s’mund të jenë më peng i barbarëve! Do të bashkëpunojmë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit për t’i dhënë fund historisë turpëruese të dhunës”
Ngjarjet e fundit në futbollin shqiptar do të jenë tema kryesore e mbledhjes së parë gjatë javës së ardhshme të Komisionit kundër Dhunës në Sport, të dekretuar me vendim të Këshillit të Ministrave në qershor të këtij viti. Ky komision, që bashkon në një tryezë përfaqësues të sportit, MAS, mediave dhe Policisë së Shtetit, ka për detyrë hartimin e strategjive për parandalimin e ngjarjeve si ajo e së enjtes në Shkodër. Lajmi konfirmohet për “Shqip” nga MAS, përgjegjëse për thirrjen e këtij komisioni, ndërsa po mblidhet dokumentacioni nga të gjitha palët për atë që ka ndodhur në stadiumin “Loro Boriçi”. Qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje do të jetë analizimi i ngjarjeve, me qëllim përmirësimin e legjislacionit dhe ndarjen e kompetencave, në mënyrë që dhuna të mos përshkallëzohet siç ndodhi në qytetin verior. Kjo mbledhje u parapri nga vetë Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nëpërmjet një postimi që bëri dje në “Facebook”. “Stadiumet në Shqipëri s’mund të jenë më peng i barbarëve! Do të bashkëpunojmë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit për t’i dhënë fund historisë turpëruese të dhunës”, ishte mesazhi i tij rreth këtyre ngjarjeve. Fjalët e kreut të qeverisë kanë mjaftuar që të viheshin në lëvizje strukturat e MAS, për organizimin e kësaj mbledhjeje të parë.