Sfida më e paparashikueshme e këtij Europiani, zbulon sot finalisten e parë. Ronaldo, kundër Bejl
GARET BEJL – “Nuk luajnë dy lojtarë, por dy kombëtare në gjysmëfinale, 11 kundër 11. Të gjithë e dinë këtë. Ronaldo është futbollist fantastik, të gjithë e dimë se çfarë mund të bëjë. Kemi folur gjithmonë për atë se çfarë ne bëjmë, atë që ne bëjmë si ekip”, ka thënë Bejl.
LUIS NANI – Sulmuesi i kombëtares portugeze, Luis Nani, ka arritur një marrëveshje me Valencian në Spanjë, e cila ka paguar për kartonin e tij 8.5 milionë euro. 29-vjeçari, i cili do të luajë për herë të parë në Spanjë, ka nënshkruar për 3 sezone
Kristiano Ronaldo dhe Bejl, shokë skuadre te Real Madridi, do të jenë për herë të parë sonte kundërshtarë me kombëtaren respektive në një takim që në prag të “Euro 2016” pak do ta kishin parashikuar. Ylli portugez, i cili në dy ndeshjet e fundit ka luajtur në Lion, gjithnjë ka shënuar një dygolësh, ka pasur një problem të vogël gjatë stërvitjes, por do të jetë rregullisht në fushë, ndërsa Bejl është në formë shumë të mirë dhe kërkon të udhëheqë Uellsin drejt finales së ëndrrave të Parisit. Të dyja kombëtaret përballen për herë të parë në një veprimtari zyrtare, në tri miqësoret e zhvilluara deri tani, luzitanët kanë arritur 2 fitore dhe një britanikët: ndeshja e fundit është zhvilluar në vitin 2000, ku portugezët kanë fituar 3-0. Surpriza më e madhe e këtij evenimenti, është padyshim Uellsi, i cili tronditi Belgjikën me një sukses 3-1, duke nxjerrë jashtë ndoshta skuadrën më të talentuar të Europianit. Portugalia ka mundësinë e artë të rikthehet sërish në finale pas 12 viteve, ku do të ketë mundësinë për të fshirë zhgënjimin e asaj disfate të papritur nga Greqia, por fillimisht duhet të mendojë për takimin e Lionit, pasi ekipi i Koleman është një kockë e fortë. Kristiano Ronaldo ka zgjedhur të qëndrojë në hije, kjo ndoshta jo për dëshirë të tij, ndërsa në krahun tjetër, Bejl është shkrirë me filozofinë e Uellsit, pasi ai nuk konsiderohet një yll, por një lider në radhët e ishullorëve. Mungesa më e madhe e kësaj sfide do të jetë Aron Ramsei, i cili plotësoi numrin e kartonëve, por kjo nuk është një kambanë alarmi, pasi në skuadrën e Koleman nuk komandojnë emrat dhe cilësia. Në grupin luzitan, Moutinjo pritet ta nisë nga minuta e parë për t’i dhënë më shumë fantazi mesfushës, ndërsa Renato Sançez, përgatitet për një tjetër ndeshje historike. Në 6 ndeshjet e fundit europiane, Portugalia numëron vetëm barazime, ndërsa kjo është hera e 4 që siguron gjysmëfinalen në 5 europianët e fundit. Në krahun tjetër, Uellsi ka bërë një rrugëtim fantastik deri në gjysmëfinale dhe në këtë ndeshje, ekipi i drejtuar nga Koleman, ka mundësinë t’i tregojnë botës se edhe pse një komb i vogël, ata mund t’ia dalin të bëjnë gjëra të mëdha, ashtu si Hal Robson-Kanu me atë gol fantastik kundër Belgjikës. Në kampin portugez, Uilliam Karvaljo është mungesa e vetme për trajnerin Santos, i cili nuk do ta ketë të vështirë për ta zëvendësuar, duke parë numrin e madh të lojtarëve cilësorë që ka në dispozicion. Të dyja kampet do të japin maksimumin në fushë, sepse kjo është një sfidë ku i fituari arrin majën, ndërsa i humburi duhet të largohet kokulur. Kristiano Ronaldo ka mundësinë e artë për t’u konfirmuar lider dhe pretendent në garën për “Topin e artë”, por mbi të gjitha të thyejë mallkimin me kombëtaren, ndërsa Garet Bejl synon të pasojë gjurmët e tij. Në Lion do të luhet një nga duelet më të paparashikueshëm të futbollit europian, Uellsi i vogël sfidon Portugalinë që i ka dhuruar botës disa nga emrat më të njohur të këtij sporti. Dy skuadrat që kërkojnë biletën e Parisit, do të zbresin sot në fushë në orën 21:00 për të zbuluar në fund të takimit finalisten e parë të Europianit.