Leroi Sane duhet të kthehet te Bajern Mynih. Dhe pse u prezantua zyrtarisht nga Gallatasaraj, detyrimet e 29-vjeçarit te bavarezët nuk kanë mbaruar.

Sulmuesi gjerman do të udhëtojë nesër, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në Florida. Bajerni do të luajë në Botërorin e klubeve dhe Sane ka kontratë të vlefshme deri në fundin e muajit.

Kështu do të jetë nën urdhërat e trajnerit Kompani, të paktën në fazën e grupeve dhe nëse kualifikohen në raundin e 1/16-ave. Lëvizje surprizë kjo e prezantimit, ndërsa asgjë nuk është mbyllur te Bajerni.

Sane do të largohet pas 5 viteve nga Bajerni. Gallatasaraj arriti marrëveshjen me lojtarin, për ta transferuar me kosto zero.

Kur u mësua se Sane kishte pranuar ofertën e Gallatasarajt duke refuzuar rinovimin me Bajernin, rrjetet sociale u mbushën me festimet e tifozëve të klubit kampion të Turqisë. Ishte vetë Gallatasaraj që publikoi në rrjet avionin që po udhëtonte drejt Turqisë me lojtarin që mbërrinte për të firmosur. Një postim i cili u ndoq drejtpërdrejtë deri nga 1,5 milionë njerëz njëkohësisht në një moment të caktuar të tij.

Më pas e kishte radhën festa në aeroport, ku Sane është pritur si hero sapo ka dalë nga avioni.