Pas dy humbjeve radhazi, në dy javët e para të kampionatit, Arsenali ka rritur të gjejë edhe fitoren e parë, duke mposhtur në “Emirates Stadium” skuadrën e West Hamit, me rezultatin 3-1.
“Topçinjtë” e drejtuar nga Unay Emery e nisën keq takimin dhe në minutën e 25-të e panë veten në disavantazh, pasi miqtë shënuan me anë të austriakut Marco Arnautoviç.
Gjithsesi reagimi i londinezëve ishte i menjëhershëm dhe vetëm 5 minuta më vonë arritën të barazojnë shifrat, duke shënuar me anë të mbrojtësit Monreal.
Në pjesën e dytë Arsenali gjeti rrjetën edhe dy herë të tjera, fillimisht pas autogolit të Diop dhe më pas me anë të Danny Welbeck, në minutën e dytë shtesë.
Evertoni e pa veten në avantazh të dyfishtë në transfertën ndaj Bournemouthit, por shpërdoroi mundësinë për të dalë me tre pikë, pasi lëshoi shumë në prapavijë dhe pësoi dy gola, duke bërë që ndeshja të përfundonte 2-2.
Po në barazim, por këtë herë pa gola, përfundoi edhe sfida mes Huddersfieldit dhe Cardifit, ndërsa Leicesteri doli me tre pikë nga transferta ndaj Southamptonit, duke fituar 1-2.
25 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)