Numri një i institucionit të futbollit shqiptar thekson se projekti De Biazi kërkon kokë
Kthim pa eufori i kombëtares në atdhe pas humbjes 2-0 në Lucernë
Altin Manallari
E nisëm me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, edhe për traditë kështu dimë ta bëjmë ne pas çdo fitoreje, por kthimi nuk ishte i tillë. Në fytyrat e atyre që u kthyen nga Lucerna në Aeroportin e Rinasit dje mungonte euforia, edhe pse kundërshtari ishte dhe është sërish favoriti në letër për t’u kualifikuar nga Grupi E. Zbarkimi në Shqipëri ishte krejt ndryshe nga pritja madhështore që iu rezervua kuqezinjve nga tifozët kuqezi para ndeshjes në Aeroportin e Lucernës. Në Rinas dje pasdite mbërritën vetëm lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar dhe stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, që shoqëroi kombëtaren në Zvicër. Kjo pasi trajneri Xhani De Biazi nuk preferoi të rikthehej në Tiranë pas humbjes 2-0 me Zvicrën, por udhëtoi direkt drejt Italisë. Një gjë të ngjashme bënë edhe të gjithë futbollistët e Kombëtares, të cilët luajnë në kampionatet e huaja: ata morën linjat përkatëse, për të shmangur orët e tepërta të udhëtimit. Në një analizë të shpejtë të takimit të së martës, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, mendon se humbja me Zvicrën është e pranueshme, edhe pse me pak fat mund të shmangej. Numri një i institucionit më të lartë të futbollit në vend nuk ngurroi të jepte opinionin e tij për ndeshjen e Lucernës, duke këmbëngulur se kuqezinjtë ua dhuruan vetë fitoren kundërshtarëve me gabimet krejtësisht të shmangshme në mbrojtje. “Më shumë humbëm ne se fitoi Zvicra, nisi Duka analizën e tij për humbjen e të martës në mbrëmje. Ne e dhuruam atë rezultat me ato dy episode, megjithatë kemi humbur ndaj një kundërshtari që me të vërtetë është favoriti i grupit. Mund të kishte ndodhur dhe ndryshe nëse të paktën nuk do të pësonim gol në pjesën e parë”, deklaroi drejtuesi më i lartë i qeverisë së futbollit shqiptar. Shqipëria u mund 2-0 në Zvicër, duke lëshuar kështu menjëherë vendin e parë të renditjes në Grupin E eliminator të Botërorit 2014, të arritur pas suksesit me Qipron, numri 1 i futbollit shqiptar me delikatesë rreshtohet në anën e trajnerit. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, mendon se kombëtares i duhet më shumë kohë për t’u konsoliduar, për shkak të largimeve dhe afrimeve të shumta në organikë. “Është një skuadër e cila nuk është se mund të bindë në çdo ndeshje, i duhet kohë për t’u konsoliduar si grup dhe për të pasur rezultate më të mira në të ardhmen”, shprehet kreu i FSHF-së. Në fakt, 2-0 në Zvicër duhet lënë shpejt pas, sepse në 12 tetor në “Qemal Stafa” mbërrin Islanda, e etur për pikë, pas disfatës së pësuar në Qipro. “Nuk kemi këllqe që të flasim për dy, më mirë të flasim e të përqendrohemi shumë për ndeshjen e radhës, për Islandën. Duke qenë se luajmë në shtëpi nuk kemi alternativë tjetër, vetëm të fitojmë ndeshjen”, theksoi Duka në fund. Me 3 pikë në dy ndeshje, Shqipëria renditet në vendin e tretë, duke mbajtur poshtë me diferencë golash Qipron dhe Norvegjinë, ndërsa luan pikërisht sfidën direkte me Islandën, në kuotë të barabartë pikësh.
Islanda
Presidenti i FSHF-së: “Nuk kemi këllqe që të flasim për dy, më mirë të flasim e të përqendrohemi shumë për ndeshjen e radhës, për Islandën. Duke qenë se luajmë në shtëpi nuk kemi alternativë tjetër, vetëm të fitojmë ndeshjen”