Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, është distancuar nga kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, më qartë se kurrë më parë dhe dëshiron të rrëzojë “sistemin” e tij, u shpreh ai për mediat gjermane.
“Është e rëndësishme që edhe ky sistem i Infantinos të marrë fund,” tha Neuendorf për RTL/ntv, duke theksuar se kjo është madje “absolutisht e domosdoshme”.
Neuendorf mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe të Këshillit të FIFA-s në Selanik të Greqisë dhe vazhdoi të theksonte skepticizmin e Gjermanisë ndaj një mandati të ri presidencial të Infantinos.
“Marrëdhënia e besimit me Gianni Infantinon, me këtë udhëheqje të FIFA-s, është sigurisht e shkatërruar”.
Presidenti i FIFA-s po kërkon një mandat tjetër, pavarësisht dështimit spektakolar të planit të tij për investitorët e Kupës së Botës dhe kritikave të ashpra nga pjesë të botës së futbollit, ndërsa zgjedhjet janë caktuar për në muajin mars.
Ndër të tjera, UEFA, e udhëhequr nga presidenti Aleksander Ceferin, po kërkon dorëheqjen e Infantinos dhe po përgatitet të ngrejë një kallëzim penal kundër tij në Zvicër. Synimi kryesor i palës evropiane është ta detyrojë Infantinon të tërhiqet para rizgjedhjes së tij të planifikuar.
Dhjetë federata evropiane të futbollit tashmë e kanë tërhequr zyrtarisht mbështetjen e tyre për të; së fundmi, këtë e kanë bërë Franca dhe Austria. Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, por Neuendorf e ka bërë tashmë shumë të qartë qëndrimin e tij dhe konfirmoi në korrik se federata nuk do ta nënshkruante letrën e mbështetjes të ofruar nga FIFA.
