Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka folur pas hedhjes së shortit për Kupën e Botës.

I pari i FFK-së ka deklaruar se ky ishte një short më i veçantë se sa herët e kaluara, teksa respektoi kundërshtarët me të cilët Kosova mund të përballet në rast se ia del ta sigurojë kualifikimin. Ai gjithashtu tha se nëse Kosova arrin në fund që të kualifikohet, ky do të ishte grupi që ata kanë dashur, kryesisht për shkak të lidhjes së ngushtë që ka vendi ynë me SHBA-në.

“Një short i jashtëzakonshëm krejtësisht ndryshe nga shortet tjera, special, tre presidentët e tri shteteve organizative që ishin pjesë e tij, ishte diçka e jashtëzakonshme dhe për këtë organizim i bëjmë komplimentet tona FIFA-s dhe presidentit Gianni Infantino i cili e bëri këtë gjë mjaft atraktive.

Pra, tri shtete, tri kombëtare të respektueshme, ne fillimisht duhet t’i kalojmë edhe dy ndeshjet që kemi në play-off dhe që shpresoj që do t’i kalojmë, me Sllovakinë dhe pas Sllovakisë është hapi tjetër me Turqinë ose Rumaninë. Shpresoj që ne do t’i kalojmë këta kundërshtarë dhe do të ecim drejt këtij Kampionati. Nëse arrijmë në këtë grup që jemi ndoshta do të ishte grupi që do e kishim dashtë.

Një arsye më shumë pse po them grupi që do kishim dashtë është përfaktin që ne kemi punuar me SHBA-në të cilët realisht janë shteti që na kanë ndihmuar, na ka organizuar dhe Kosovën e ka ndihmuar në të gjitha aspektet. Kështu që sigurisht shpresoj të jemi same në formë dhe të mos kemi ndonjë futbollist të dëmtuar dhe të shkojmë para në këtë Kampionat, i uroj ‘Dardanëve’ të gjitha të mirat e mundshme dhe shumë suksese në këtë kampionat”.